Metamorfoza e shpirtit – Xheni Shehaj

20294019_664748180403196_9058170194284076529_nXHENI SHEHAJ

Xheni Shehaj, lindur në Kamëz-Tiranë. Shkollën e mesme nisur e përfunduar në qytetin e Rrogozhinës. Studimet e larta në universitetin “Aleksander Xhuvani” Elbasan. Master Shkencor “Studime letrare”. Aktualisht punonjënse e bibliotekës së qytetit të Rrogozhinës.Me shkrime mirret qe një kohë të gjatë duke publikur  nëpër revista të ndryshme.

21105622_677103882500959_6411343023616731409_n

Metamorfoza e shpirtit

 

Netëve të dimrit, kur era dhe pemët kalonin në ekstazë,

shpirtin se kisha timin.

Ethshëm strehohej diku tjetër,

pa ia vënë veshin lutjeve të  mia.

Nuk e njihja më, aq shumë transformohej.

As ai s’më njihte,

pasi kur në emër e thërrisja, s’më përgjigjej.

E kalova dimrin, e pashpirt.

Erdh’ pranvera.

Mëngjeset kalonin duke pritur kthimin e tij

si djali plangprishës.

Dhe ja, atje tej, në fushën lulëkuqembuluar

u duk ecja e tij prej zotërie.

E prita buzagaz, hodha mbi të gjithë mallin dimëror.

Kaluam disa kohë.

Befas një shtrëngim në gjoks

më paralajmëroi për dhimbjen e afërt.

Ai iku sërish.

U zhduk atje tej në horizontin e largët.

Unë mbeta pa të.

Erdhi vera. Dallgët ma sollën përsëri në shtëpi

haramin.

Nisi sërishmi bashkëjetesa jonë.

Vera kaloi pa u ndjerë. Aroma e detit, dielli, ia zbehën atij nuancat.

Vjeshtë. Bashkë me shirat e parë nisi dhe pikëllimi im.

Ai iku sërish.

U xhindosa me të. Isha gati të merrja vendimin më të rëndë

për një qenie humane; t’i mbyllja dyert, mos ta pranoja më.

Të mbetesha pa shpirt.

Një kafe më bëri të arsyetoj.

Do e pres përsëri, i thashë vetes.

Mbase s’i jap aq sa duhet dhe ai ka nevojë për më shumë,

u mundova ta justifikoj.

Pastaj, sa herë që kthehet ai është i tejmbushur.

Sjell plot gjëra.

Do e pres…

 

E imja botë

 

Ti botë je e imja

më gjithë çke.

Mua më përket,

ashtu si unë ty.

Je e imja,

dhe kur heshturazi më flet.

Kur flokët era jote m’i shpupurit,

Kur dallgët e tua më rrahin shpirtin

plot tërbim,

timen të kam.

Je shumë e madhe

për t’u mbajtur thonë.

Thonë je e rëndë,

e plot telashe.

Nazemadhe e hileqare,

thonë për ty o botë!

Dhe prapë e imja mbetesh,

Ti botë gënjeshtare!

21271360_679885578889456_3738811248968964714_n

Rrezja e diellit

 

Në shumë shtigje eca,

M’u çanë këmbët nga ferrat, drizat,

Eca me kokën lart, duke fiksuar me sy shqiponje

rrezen e diellit.

Vetëm një dëshirë kisha: ta arrija.

……………………………………………………..

Ajo qëndron mbi mua, më grish, më josh, mendjen

ma prish.

Unë eci, eci duke larë gurët e shtegut me gjakun

e thembrave të mia.

21314720_680828862128461_7082042686006791760_n

Larg

 

Dua të iki larg…

Atje ku toka puthet me qiellin

E deti zili i ka.

Ku mëngjeseve vesa përqafon barin

E dielli shpirtmadh jep ngrohtësi.

Atje ku pulëbardhat fluturojnë veçmas (jo në grup),

E me dallgët flirtojnë pa turp.

Ku dëbora shtrohet këmbëkryq,

E malet, pemët, shtëpitë zbardhen.

Dua të iki larg! Sa larg!

 

Rënkime vjeshte

 

Unë kurrë s’jam endur deteve

kur stuhia tund e gremis anije

e dallgët dhunshëm rënkojnë.

As qiellin se kam puthur,

ashtu të nxirë, pis,

dhe me retë gati për shkarkim.

Fushat s’i kam shkelur,

e mbi to s’kam vrapuar.

As lulëkuqet këputur s’i kam.

Diell e hënë nuk kam soditur

ashtu endshëm, me nge.

S’i kam adhuruar gjer në amëshim,

as në shtrat me to s’kam rënë.

Shpirtin kurrë s’ja kam hapur

diellit,yjeve dhe hënës.

As kitatë nuk kam luajtur

bregut të detit, në muzg.

Malit kurrë s’i jam ngjitur,

e prej tij të lëshoj kushtrim.

Sa shumë gjëra nuk kam bërë!…

Këto ditë vjeshte më flasin

për timen plogështi.

Oh!…

Dhe unë rënkoj

bashkë me vjeshtën.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>