Braktis ftohshëm edhe Dashuria gjeografisë zhgënjyese – Miranda Dobraj

19105973_179303569269035_6429898878384637062_nMiranda Dobraj

Poetesha Miranda Dobraj, me shkrime ka filluar të merret gjatë kohës së shkollimit dhe ka botuar krijime letrare nëpër revista letrare dhe portale të njohura.Studimet në degën e Letërsisë aq më shumë e kanë kultivuar artin e saj të shkrimit dhe tashmë poezitë e saj kanë një identitet bindës, shpalosës të vrojtimeve dhe transmetimit artistik të përkryer. Një ciklin poetik për Mearteka Literary, Miranda vjen bukur dhe semiotika, figuracioni, shenjëzimi metaforik e hapësira meditative rezonojnë si vlerë krijuese.

 

22491893_234103917122333_6475933396667310335_n

Vetës

Eja, o vetja ime
ti që ike shumë vite nga unë
m’u rikthe!

Rikthehu te shpirti e mendja
mos humb gjurmë
mungesa jote, çdo ditë më sëmurë!

M’u rikthe e dashur
nuk do të t’mundoj e të grushtoj
rikthe besimin tek unë.

Unë nuk të vrava
thjesht… të përplasa mllefin
mos u anko: gjallë ke trupin!

Rikthehu furishëm, e mos lejo
që gjuha të t’fajsoj, e dora të t’plagos
Kundërvihmu: mua- vetvetës!

Dhe gojën prej ulkonjeje mbyllma
mendjen dhe shpirtin të m’i mbuloj paqja
Rigjej tek unë: ekzistencën esenciale!

Nën ferrin e përditshëm, t’lulëzon parajsa…
Vetvete, të gjetsha, e gjithmonë t’paça .
Në të kundërtën në djall vafsha!

46485446_313239562615871_801029362257231872_n

Braktis ftohshëm

Jam ba guri t’u braktis
ftohshëm vetën e të tjerët…

Kam ndje nji kohë nxehtësinë e dashunisë
t’shpërndarë pambarimisht…

Me hesht kam msue at’herë kur tjerët m’kanë thanë mos
me ba za

E veç kur u rrita, kuptova se mos t’u ba za, tjerët mundohen
me t’vra…

E ma nuk heshta, po as llafazane kjo jetë nuk m’bani
Pak fola e njerëzit jo t’duhun me kohë i largova prej vetës…
Kam vra vetën shumë herë t’u kja e hallin e tjerëve mbi supe t’u e mbajt
E hallet e mia ishin ma n’numër se sa ato kile që bartte skeleti im…

Përpjekjet e mia ishin t’mbushme me aq ditë sa kisha jetë,

e prej gjithë atyne ditëve jetë,

secila përpjekje ka ni dështim mori pas vetës…

Shpesh e dorëzume braktisa gjithçka
që frymën në grimca t’vogla ma copëtonte…

I pritova besimit ndaj njerëzve
se vetja shkaktare e zhgënjimeve gjithë m’dukej…

Harrova me dasht,  me qesh’ e me kja
tharmin e dashunisë mes njerëzve ma se njofta…

Ka pas aq ditë e aq netë që kam dashtë me pa vetën mbi andrra,

si qiriun mbi tortë  por u dergja prapa grilave ogurzeza…

 

Zotni skulptor

Zotni skulptor
po t’bajnë ftesë vitet e mia
që janë t’lulueme sa nji prandverë
e t’dërmueme sa nji dimën
në ditët dembele t’jetës
ka ardh koha tash me festue
për secilën vrimë a rrudhë
prej teje nji dëshirë kam
banem skulpturë…

Zotni skulptor
po t’bajnë ftesë rrudhat e mia
t’vendosuna në fytyrë si -21 vija
prej vitit t’parë t’lindjes ngushtueme
me mërzi e vaj t’krijueme…

Zotni skulptor
po t’bajnë ftesë dhe eshtrat e mia
t’vendosuna mrena meje si shtiza
t’mbulueme me nji cipë lkure
me vaj e kuje, mbetum thatim
po i fsheh n’skeletin tim…

Zotni skulptor
po t’baj ftesë t’më gdhendësh si statujë
ku t’mos kem ndjenja dhe t’emnohem gur
s’të them t’më murosësh si t’shenjtën Rozafë
që besnike iu qëndroi mureve t’kalasë
por t’më gdhendësh çdo gjë timen thellë
dhe t’shikosh se në mua gjindet nji humnerë
atëherë do kuptosh se kur dikush rron pajetë
nuk ka çka i ban as skulptor i shkretë..

 

Gur në mua

Pranvera mbushi natyrën lulëzim

por gur hodhi mbi shpirtin tim.

Mbi prehërin e ngurtë që u mbështeta

nuk gjeta lule, por shpim shigjetash.

Dhe hov mbi mua ra gur-guri

që ndjenjat e mia jashtë i përzuri.

Lotët në gur u shndërruan

s’formuan oqeane, por kala ndërtuan.

Mbi zemrën e thyer nuk çelin lulishte

por vetëm gur, që bëjnë gurishte.

 

Kafshë politike

Fyerje rrugaçësh në udhëheqësi

Fshehin turpin me ngjyra të ndezura kravatash
pas dhëmbëve jeshil të zgërdhirë
përqeshin të arsimuarin, me lecka baltave.

 

Dhe kur ata flasin si diplomatë
fragmente të gjata politikash fëlliqur
me ikën truri dhe shpejt bëhem tapë
tek Aristoteli, që i thotë njeriut- Kafshë politike.

 

Kur politika luan kokafshehtasi me ne
e na dërgon drejt brigjeve të mërgimit
mos të çuditen pasardhësit tanë
kur të dëgjojnë për ne dhe vetasimilimin.

 

Udhëheqësia prej të ndershmes prostitutë
me bijtë e saj shitur për pozita
shesin mend ata që s’kanë fare tru
e veç i zënë me trup karrigat!

 

Këpucëtar

 

Këpucëtar t’i jap lekët
veç nëse shputat m’i ban t’pa shqyeshme
t’i bajnë ballë rrugëve me gur
dhe tatëpjetave të zeza qivur.

 

T’i jap këmbët për rinovim
e një javë ti ma fal pushim
e shtrirë ashtu në kotësi
ti mundo kokën për t’sjellë risi.

 

Pasi t’mundohesh e të dështosh
gjurmët n’këmbët e mia t’mos i kuptosh
M’i dorëzo këmbët dhe kërko ndjesë
thuaj:- historinë e tjetrit s’bën me përqesh!

34011425_319284205270970_2716153913744031744_n

Valle e vetmisë

 

Seç bota mori ngjyrë tjetër
dhe hëna, mike s’u bë më
dhe dielli dritën filloi ta fikte
retë e zeza, u bënë një nga një.

 

Pas bjeshkëve jetë më s’u duk
as valët e ujit më zhurmë s’bën
ku pas shiut një ylber u duk
me një ngjyrë të zezë, gjysmëhënë.

 

As luftërat e mëdha s’patën të vrarë
se vdekje e tyre u bë në jetë
kur zemër e tyre zbriti në Hades
trupi skeletor, mbi tokë po ecë…

 

Djersë eshtrash

 

Lëkurë e njomë pikoi djersën
në punë, në jetë, në dashuri…
dhe nuk arriti t’i thaj eshtrat
që s’u ngopën lumturi.

 

Lëkura e njomë dhe pse lagej
me lotë, me djersë, me shi
dhe s’po lejonte plagën të thahej
ujiste me sa kishte fuqi.

 

Lëkura e njomë, e njomur u bë
me gjak që bëhej gri
nga rrahje zemre e saj nuk ndihej
dhe frymë, dhe jetë u bënë hi…

 

Nga lëkurë e saj e njomë
pikoi, plagë e lot i zi
dhe kukuvajkat në qiell thonë
eshtrat e saj djersinë…

46125898_1426485134149301_1023790387979878400_n

Ik…

 

Ik nga vendi që s’vërenë
prezencën tande
e të gjuan matanë
si shiu, pikat mbi xham…

 

Ik, se nuk do vërehesh
as ditëve me lot e as me gaz …

 

Ik, n’daç m’i dhanë
respektin vetës
e mos qëndro aty ku s’të duan…

 

Ik…
se jeta çelë edhe pa turmën
që të llogariti ty si të huaj…

 

Gacë shpirti

 

Jeta të shpie andej-këtej
si binarët trenin
dhe mjegull…
tym që kërciste në drurët e thatë
që të zgjonin prej të menduarit
të tretur në zemër
e të uritur në bark
në mendje të pakursyer
për me i dalë ballë
zjarrit që tymon
e të heshtun në djegie…

 

Duro

 

Sa valëzat gjigande
ta bëjnë jetën monotone.

e ti duhet të durosh.

 

Madje dhe kur ato godasin
shkëmbin që s’u thye kurrë.

ti duhet të luftosh.

 

Dhe atëherë kur copëzat e shkëmbit
ujitin këto valë

ti duhet të shpresosh.

 

Se s’pat shpërblim me të madh
se sa për durimtarin

e ti duhet të besosh!

 

 

Ti do vetminë

 

Ti do vetminë
se t’u ka shtjerrë lumturia
t’u kërku pak buzëqeshje në shpirtra
si lypsari që zgjat dorën për t’imta.

 

E ti mbyllesh në vete
madje të quajnë vetjak
se u largove prej aktrimit
ia ktheve shpinën tubimit.

 

Iu kundërvure maskimit
se e more zhgënjimin
e njerëzve më të afërt
që pas ta zinë mashtrimin.

 

Ti shpirtin lidhe me vetminë
fjete e prapë u zgjove në këtë rutinë
se s’dite më, se kë ke mik
se kë të dashur, e kë armik.

 

Por ti vetminë, se zgjodhe
ta mveshën…

Ata që deri dje u shtirën se të deshtën
vetminë ta bënë “shok të përjetshëm”!

33786400_318912988641425_8729432625808146432_n

 Dhimbje

 

Ditë e nxehtë
Përvëlon shpirtin.

 

Mendimet trazohen
Në të ashtuquajturën kokë.

 

Lulet vyshken pa ujë
E fletat e tyre lagen me lotë.

 

Heshtje,
Stinë e mërzisë dhe lulëzimit po ikën.

 

Me durim të tejzgjatur
Thellohem në të ftohtat dhimbje!

 

Armë vetëmbytëse

 

E vetëmbyta vetën pas shumë viteve
Kur rrita dozën e krenarisë.

 

Më mbyti dora ime
Që fundosi dallgët e lumturisë.

 

Vdekje e pafalshme
Ndërgjegje që s’gjen paqe.

 

Shpirt i vdekur që kalëron
Dhe jeton në një skelet me mish të gjallë.

 

Jehonë e kësaj vrasjeje
Trurin po e çmend.

 

Se vetëvrasja është “akt i pafalshëm”që dhemb!

40570033_395704470962276_6794569542795264_n

 

Kisha dashtë…

 

Kisha dashtë me qenë pak ma ndryshe
t’i përballoj luhajat e përvuajtshme t’jetës
veç pak ma ndrysh me qenë
pak frymë me e pas
një shtytje me m’u jep
një krah të mbështetem me e pas
kështu kisha dashtë!

 

Kisha dashët me ndje jetë thellë brenda vetit
m’u përkund bashkë me tërmetin
m’u valevitë me stuhitë…
me bubullimën me kriju muzikë
dritë spektakli vetëtima me m’jep
vullkani i ndezur zemrën me ma djeg
e gjithçka uji me fashit
kështu kisha dashtë.

 

Kisha dashtë t’zgjohem me cicërimen e zogjve
një gurrë mes për mes oborrit me pas
kështu që me ndje tingujt e qetësisë
e me besu që pas çdo të keqe vjen një e mirë
kështu kisha dashtë.

 

Kisha dashtë me ditë me kuptu
Jetën
njeriun
e prapë vetë jetën…
me ditë a me e fal, a me m’fal mu jeta
kaq kisha dashtë
një dije rreth jetës e njeriut me e pas!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>