Përjetësi në mirazh vjeshtash – Agron Shele

Fotografia e Shoqata e Shkrimtarëve "Feniks" PreshevëAGRON SHELE

Agron Shele është tashmë emër i njohur në letërsinë shqipe dhe jo vetëm… Si shkrimtar, poet, eseist, vlerësues, përkthyes dhe  editor i Atunispoetry,  Galatika petike Atunis; ku publikon emra të shkrimit letrar nga mbarë bota,ai edhe është i përkthyer dhe i përfaqësuar në shumë antologji botërore. Emri i tij dhe krijimtaria e tij vlerësohet gjithandej në elitat letrare.

Mearteka me shumë kënaqësi sjell sonte dy poezi të mrekullueshme .

 

PËRJETËSI

Një portret,
mbivendosur shtjellash jete
në kufijtë e lindjes degëzim gjenezash
përtëritur,
qiejve të tjerë,
ku degët,
sinkron i stuhisë pa zë zgjaten dhimbjesh
në heshtje,
pa frymën e tyre ulëritëse,
të zhveshura
dhe braktisura nga rrezja e thyer e diellit.


Një mirazh,
që ndan ngjyrat kohë,
në refleksione të pafundme,
nëndijes fshehtas
pores më të fundit,
aty ku rrënjët degëzojnë brazdave të shpirtit,
në përthithje
të lëngut që lëvrin dejeve rrëmbyeshëm
… gjer në më të skajshmin ind
të vegimit dritë që kap dimensioni gjysmë i verbër,
i shqisave të paqena
të përtej memories.

Një rikthim
nga portat e braktisura
harruar vetvetes,
e mjegullës tis, që botën rrethon
veshur skeleteve-hije
në rendje të përjetshme
drejt pakuptimësisë ikje
dhe ditës së re në shtrëngata lindjeje.

 

VJESHTA IME

Vjeshta ime është më shumë se një ngjyrë
shkëputur nga më e fundit gjethe në rrëzim
tinëz,
pa zhurmë,
përjetë në humbim
larguar tashmë tutje fluturim.
Vjeshta ime është më shumë se një kolor
rrëmbyer nga harku ylberit në tretje
për të veshur kufijtë e një shpirti në trazim,
që muret e stinës,
i shemb për çdo ditë.
Vjeshta ime është më shumë se një notë,
që luhet parqesh tashmë të braktisur,
simfoni e kohës dhe zogjve shtegëtim
simfoni e shiut,
që mbart mallin tim.
Vjeshta imë eshtë më shumë se një dhimbje
e fateve të endur rrugëtimës trishtim
e bukurive dhe muzgjeve lënduar paskohe

nga pritjet
dhe gjurmëjetët ndjekur nëpër hije…
Vjeshta ime troket ndryshe,
pa trokthin e kuajve të bardhë
është ngjyrë që hap porta diejsh
zjarr përmbi zjarre,
rrëmbyer nga frone perëndie.
Vjeshta ime është libër i hapur
ku faqet e tij s’ kanë mbarim
fjalë që shkruhen me shkronja gjaku.
e bojë e derdhur në më të thellin shpirt.
Lot i hidhur i dashurive të fshehta
e flakë pasionesh ngjitur në qiell.
Vjeshta ime është më shumë se një vjeshtë
dhe sy që vështron nëpër natë
të mbledh yjet, në më të lartat galaktika
e të zgjoj të nesërmen e ditës në kthim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>