Përgjërim dhe Flijim për të Ringjallur një Dashuri -Thomaidha Tanuçi Cullufe

 

      Thomaidha Tanuçi Cullufe

 Cikël i gjatë poetik nga krijimtaria e poeteshës përmetare Thomaidha Tanuçi Cullufe, zgjedhur nga publikimet në Atunispoetry për te Mearteka Liteary.

Mbresa  leximi të  poezive  nga Thomaidha Tanuçi Cullufe

  “ Në kuadrantet e plotnisë, ku sistemi observues rifillon nga koordinatat e përsiatjeve dhe diskursit transmetues, ravijëzon funksionimin semantik të shpalosjeve poetike,kumbimi në amplitudat e luhajave të mendjes në lëvizje dhe përshkrimi indigjen nëpër atë diagram të profecisë tashmë Elysjane; kompozimi dhe transmetimi polimorfik tangjentojnë me harmoni jehonash meditativo-filozofike, kumtojnë një sublimim të denjë të një arie origjinale në poezinë shqipe.

   Në dy hemisferat përceptuese ku asociacioni tejvjen dhe tejshkon ndryshe nëpër shtegëtime i vënë në “check in” sugjestiv dhe trinia e koduar e lënë në “log in” leximor, tërë  ai fluks alegorik dhe ai palimpsest në hedhje metaforike dhe monumentalizime figurative, sikur celebrojnë paradigmën dhe nuancojnë preludin lirik me pantomimë, me rebusin që për hirë të atij leximi në X-dimenzional të qasur , vërtetë e përligjin atë ndërdijim se poezia lexohet , lexohet, lexohet. Lexohet sepse aty është Bindja e Ardhur bukur.” ( M.Leka, editor )

************** CIKLI POETIK*************

Braktisur

Ka kohë që kam braktisur kufijtë tokësorë
dhe çuditem si bota jeton me kufij,
çdo njeri të udhëtojë pa pashaportë në dorë,
me një valixhe dhe çanta e shpinës përbri.

Nga pluhuri dhe balta kam dëshirë të largohem,
urinë me mua po shuajnë që tani,
klasifikimit dhe renditjes as që i afrohem,
hapat dhe fustanet po dhuroj, bëj fli.

 

***

Si një shkrepje rrufeje, në qiellin e syrit,
luajnë vështrimet e mia,
mbi filxhanin e çajit ku ngjitur rrinë buzët e tua;

në një shami të bardhë i mbledh hijet e tyre
dhe i ruaj nga errësira e mosardhjes.

Nga dritarja e hapur hyjnë tinguj e radios
dhe më sjell ndërmend një vals,
valsin që kërcyem bashkë mbi akujt
që shkrinin poshtë këmbëve.

Gjithë natën nuk vura gjumë në sy,
se mos trokiste dera e vije ti
me një përqafim nga thellësitë e krahëve të tu;
të më gjeje zgjuar.

 

***

Zgjimi më nis me të njëjtën ndjenjë
ëndrrat jetojnë mbi qerpikë
si fijet e barit prej erës.

Të vërtetat e mia 
nuk njohin as gramatkë,
as shqiptim,
mbeten të pathëna;

jetojnë rreth kokës si cicërrima;
cicërrimën e quajmë të bukur.

A e kupton kush
edhe kur është e trishtë?!

I ndaj cicërrimën dhe ëndrrën
në mënyrë të barabartë,
ndjej lëvizjet tyre,
dhe…ndal.

Qëndroj kështu
për mijëra sekonda-vite,
është njësoj
sikur shpirti kthehet mbrapsh.

Kthehem
si vërtetë e pathënë.

 

Kur jam pa formë

Kur jam pa formë,
gjej fjalë,
që konturoj formën time,
kur nuk kam formë,
eci në shi, të shoh formën time,
kur jam akull,
futem në flakë, të ndjej flakën time.

Shigjeta të zjarrta
i dërgoj në qytetin pa emër,
notoj në ujëvarën pa ujë,
ulur në barkën pa vela,
vetëm…

 13886277_1065700483465260_5530556026032639824_n
Duar drejt Yjeve

***

Duar drejt yjesh,
duar të pafajshme;
duar të shenjta,
duart mbi shkronja,
duar mbi dhembje;

sy të ngrirë
mbi fjalë të ngurta.

Bukurshkrim koha ime,
mëse e rrallë lëkura
që prek diellin;

shikime
që godasin
mbi boshllëqe.

Zilet e mëngjesit,
rrëmbyer nga tinguj,
zgjojnë pa pritur
kur duan.

Ditët e mia
mbushur më ajër
këmbëngulnin
për oborrin me gardh
e gjethe.

Mbi jastëket e lagur
pastrova gjithë
pëshpërimën e ëndrrave,
që më mbajtën për dore
e më sollën në dritën
e ditëve të pafajshme.

 

***

Çuditem
që fryma e jetës mbahet
në pafrymën time.

Çuditem 
që dhimbja është si shija e ujit të kripur
dhe netët qerpikhapur strehohen
poshtë bluzës sime,

kurse gjumi biletë drejt zgjimit
pa kohë.

Çuditem
si parfumosen stuhitë
me ngjyrat e mia,
ato pikturohen mbi sytë e mi

sa herë një plagë stine
më gjen supet gjysmë të zhveshur.

Çuditem
që bardhësia e ëndrrave
dallohet përtej errësirës;

e trembur hap sytë
kujdesur për
zhurmën e oqanit që derdhet
si një klithmë shpirti
në shpirt…

 

***

Nuk i shpëtova dot asfaltit të lagur,
as gjetheve si drita trotuarit shkelur në të,
as lotit që treti pritjen time vetëm,
as zërit të shpirtit që ia nisi po me zë,
stonueshëm kësaj melodie shiu.

Sumbullat u bënë rrjedhë nëpër sy,
u shtrinë rehatshëm në rrudha pa Sky,
aty u shtua më shumë se një histori,
më shume se një lot i pafaj,
sa fëmijë ndihem kur qaj!

 

***

Pulëbardha humbi frymën nga stuhia,
krahët peng i la në fluturim
pastaj ra…
një shkrepje qe shikimi im.

Shkuma e detit u bë me krahë
e zgjodha të vrapoj drejt thellësisë
një mur i ujtë më ndali vrapin
u fut shpirti i saj në shpirtin tim.

Erdhi muzgu bashkë me qetësinë
përkundi detin,
me hapa e përkëdheja unë si era,
lageshin manushaqet mbi fustan,
me ujë të kripur shuanin urinë,
në pëllëmbët e mia mbaja thellësinë;

Në qiell fluturoi një pulëbardhë
binjakja ime, si ëndërr bardhë!

 

***

Të gjitha ditët më duken si të shtuna,
por nuk e di as vetë pse më kujtojnë ty.

Vetëm një gjë nuk e di
si u ngritën kurthe ëndrrat, 
si parakalojnë vështrimet
e tua mbi mua pa më prekur?!

Vetëm një gjë nuk e di
si me gjysmëgoje më thua fjalët
e pathëna?!

Si u rëndua kaq shumë
fryma e hapave të tua
si “ciu-ciu-t” e një çifti harabelash
u bë dihatje në veshët e mi,
kur ti më pëshpërit emrin
pa më pasur pranë.

Vetëm një gjë e di mirë
që ditët janë si sytë e hënzës,

në fakt ajo i ka si si sytë e tu,
që më mbajnë mbërthyer
në përqafimin tënd.

Tani sytë e mi shohin
vetëm vegimet e kthjellëta
të muzgut,

të shtunave…

Lutem

Lutjen e ha me lot,
mëngjeset më gjejnë
më një rrëkezë 
mbi faqe.

Jam unë që kërkoj,
jam unë që kërkohem,
rrugët më humbin trupin;

fjalët më kanë prekur shpirtin
ngjitur janë si pika pa presje,

emrin tim
ditët mbajnë në gojë
unë endem mes tyre
si e humbur stinësh.

Jam unë që kërkoj,
jam unë që kërkohem,
dhe kjo lutje
nuk ma shuan etjen,

veç rënkon me mua
pa frymë.

Jam një copë ëndrrash
të qiellta.

 

Çarçafë ujërash nderur

Çarçafë ujërash nderur,
ecja nëpër pyje
me ngjyrën e shiut 
preva një fustan;
qielli rrëzon gjethet
lotët bën kurban,
pemët mbretërojnë
në kurora resh,
unë nusëruar
me fustan ngjyrë shiu.

Me alga në trup
tretem nusërisht,
në një pus pa fund.

Mbetur pa rrënoja,
pa gur e pa baltë,
nuk kishte themele,
por kërkonte shtrat.

Po deti ishte tharë,
nuk gjeti as trup,
mbeti dhe pa varr.

 

Rrugë…

Jetuar kam si një gjethe
që u mbulua nga mijëra të tjera
dhe as nuk qaj, as nuk rënkoj 
prej rëndesës së tyre.

Zhurma e pikave të ditës
më rëndon pak nga pak…

natën, natë e kam
gjithëherë.

Jetuar kam si një gjethe,
por si dekompozim
mos më kërkoni;

me dritën e shpirtit jam
duke ndiçuar,
rrugë…

Ndjesi

Ndonjëherë kam ndjesinë sikur ti vjen
me oshëtimat e detit në guacka
dhe lehtë më lëshon mbi veshë
tingujt e shpirtit.

Asnjëherë nuk ia gjeta fjalën ndjesisë
që me jep aroma e barit dhe e tokës
ti më thua: “Është ndjesia ime!”,
pastaj më drejton nga qielli
mbushur me luleqershi;
kur kokrra të bëhen të jemi bashkë
duke i ngrënë me symbyllur.

Gjithmonë vështrimet e tua ngjajnë me kundrimin e hënës,
dhe ti me dashje ndërpret reflektimin e saj mbi mua
duke më mbështjellë me krahë;
nga palodhja kërkojmë shtratin e pyllit,
që nuk e gjen dot ndjesinë që i japin aromat e trupave tanë.
të heshtur mos prishim palëvishmërinë e ajrit që ka ngrirë.

Ndonjëherë të gjitha ndjesitë më sjellin ty,
kështu i jetoj në një çast
të gjitha ditënatatat tona të përjetshme.

***

Vjeshta,
zgjim, i më të ëmblës shije,
ankth…
pushteti i gjetheve mbi mua,
një nuk e di, pa di;
drithmë, pa drithma
kërkim…
bashkim ngrohtësish,
tek gjysma e gjysmës,
avuj fryme,
triko vetëm, pa vetmi.

 

***

Ti nuk ke pse ndryshon
për të ardhur tek unë;

të ndjej kur më përgjon,
ta ndjej merakun
ëndrrën ma sjell të plotë
une e dashuroj diellin,
e përkrah hijet e tij,
hënën ta lë Ty.

Unë t’i njoh hapat,
mollëzat e gishtave
mbi shkronja,
unë ngjitem mbi fjalët e tua
dhe rrethoj natën
vetmitare
dhe heshtjen…

Lermë të ngrihem,
të vij tek ti,
duhet t’ia ndezim
ngjyrat vjeshtës;

si heshtje mos u fshih.

Ti nuk ke pse ndryshon
per të ardhur tek unë..
eja si je…

 

***

Tingëllon bukur;
kur jam me ty
harroj ku përkas,
fluturoj nën ujë
e në qiell eci.

Ti në mua e ke shpirtin
kulluar mbi netët që arratisen
dy trupa që frymojnë njëherësh
e në krye të ëndrrës ngjallen.

Të dërgoj fjalë me
retë
të vish,
fytyrë më fytyrë
shpirti harrohet,
e trupat rrëshqasin dhe tërheqin,
vallëzojmë në ujë,
nuk është as liqen,
as lumë,
është çasti
kur na merr malli të mbytemi
tek njëri-tjetri;
e shijojmë të dy;

bulëzat e ujëta
lehtësisht marrin udhët
dhe bëhet det…

***

Zgjimi më nis me të njëjtën ndjenjë
ëndrrat jetojnë mbi qerpikë
si fijet e barit prej erës.

Të vërtetat e mia 
nuk njohin as gramatkë,
as shqiptim,
mbeten të pathëna;

jetojnë rreth kokës si cicërrima;
cicërrimën e quajmë të bukur.

A e kupton kush
edhe kur është e trishtë?!

I ndaj cicërrimën dhe ëndrrën
në menyrë të barabartë,
ndjej lëvizjet tyre,
dhe…ndal.

Qëndroj kështu
për mijëra sekonda-vite,
është njësoj
sikur shpirti kthehet mbrapsh.

Kthehem
si vërtetë e pathënë.

 

***

Sot u fjalosa me hënën,
e kisha përballë.
E beson dot?
Me mua donte të fliste,
unë i tregoja diçka të rrallë.

I tregoja
për shpirtin tënd të tejdukshëm
që ndonjëherë mplekset me lule, rrënjë e damarë…

E beson dot?
I gjeta pikën e dobët,
i thashë se jetoni në një hapësirë,
të dy jeni mbuluar nga avionë,
yje dhe re,
dhe Diellin e keni atdhe.

E beson dot?
Kaq shumë u josh e joshura,
dhe hapin ndali,
e ma preu udhën,
e më qëndroi mbi flokë
e dëgjonte për ty
dëgjonte, dëgjonte…

si ti pjesën e tokës e ndan me mua,
si më ledhaton pa më prekur,
si m’i gjen ëndrrat ku i hedh unë,
si behëm varg për buzët e tua;
shteg për hapat e tua mbetem.

Në kthim me ndiqnin sytë e saj;
aq shumë i kisha folur për ty,
hëna ishte bërë blu.

 

***

U zgjova me ndjesinë që je aty,
frymoja ditë nga drita jote
dhe vetë mëngjesi flet
si ti,
kur shfaqesh befas 
me një puthje.

Gurëza transparente
sytë e tu,
pastaj më thua,
që jam e bukur
shkëndijë ëndrre
që ndez natën,
e me mister
më mbulon
të gjithën.

Ti përcjell ditët e mia
dhe netëve u bën pritje.

Më do muzë
që nuk mbaron.

 

***

Ti më rri larg
se ke frikë
se mbaron dashuria;

shumëzon fjalët e mia 
me heshtje
dhe më quan
“Natë e bardhë!”.

Lehtësisht e kuptova
sa të bukura janë
sekretet e tua;

përdridhen pranë qafës,
shikimet
mbi supe zbresin,
aty,
ku mbështet unë
lakminë.

Ti më zë në befasi,
rreshton hapat
para meje,
dhe pse vjen me fjalën
“Dritë!”,
rri unë larg
se mos mbaron
dashuria.

Nuk i shpëtova dot …

Nuk i shpëtova dot asfaltit të lagur,
as gjetheve si drita trotuarit shkelur në të,
as lotit që treti pritjen time vetëm,
as zërit të shpirtit që ia nisi po me zë,
stonueshëm kësaj melodie shiu.

Sumbullat u bënë rrjedhë nëpër sy,
u shtrinë rehatshëm në rrudha pa Sky,
aty u shtua më shumë se një histori,
më shume se një lot i pafaj,
sa fëmijë ndihem kur qaj!

 

Në oborrin tim…

Në oborrin tim,
nuk ka qiell fare,
ka veç gur e mur,
nuk ka as dritare.

Ne oborin tim,
nuk ka lule fare,
ka veç rrënjë e drunj,
të parritur fare.

Në oborrin tim,
nuk ka shtëpi fare,
ka vetëm ca shkallë,
që nuk duken fare.

Në oborrin tim,
nuk ka oborr fare,
nuk ka as shtëpi,
nuk ka as dritare.

Nuk ka asnjë stinë,
kanë ikur përfare.

Në oborrin tim,
me ca sy dhe flokë,
që ecën pa këmbë,
që është vetëm kokë.

 

Më the se…

se koka ime duket
sa grushti i Zotit,

mbahet mbi qafë
sikur drejton
erërat që fryjnë
në tokë e dete;

trupin ma quajte
një sklupturë
pa moshë
që ecën
me hijen
e duarve
të tua…

Unë
matëse
e netëve
hap thellesitë
e fshehta
të heshtjes,

udhëkryqi që
bindet të eci
në udhët
e mistereve
të tëndit shpirt
pa thënë:
“Përse?”,

e kështu
jetoj

si trishtim

dhe harroj
banore e cilës
vete jam.

 

***

Jam në udhëkryq,
symakinat më përshkojnë trupin
si rreze,
qesëndisshëm më bëjnë rezonancën,
nëpër gjak 
u gjend vështrimi yt,
tek-tuk
copra dashurish,
buzëqeshja ime qe injektuar e plotë,
pati mbeturina të lëkurës sate,
të miat i kishe ti.

Hapat ecin si makinat
drejt udhëkryqit,

gjetjet me hapa
në drejtim të kundërt.

Ti po ikje kaq thjesht,
më thjesht seç erdhe,

sepse kaq thjesht
unë di të largohem.

 

***

U hapën
qiejt
e syrit,
përrenjtë
e shpirtit 
u derdhën…

një gropë
e mbushën
në qiell
dhe mbollën
një pemë
të ujtë;

pikon…

Hija
e dashurisë
u bë
fantazmë
endur
orëve
të natës;

ditës
rrugëve
si lot;

nuk gjeti
paqe;

mallkuar
ishte
me
mosvdekje.

 

Frymë si më le pa frymë?!

Në mëngjesin e ditës sime vdisja,
në tëndin zgjimin ringjallesha
që të isha gjallë për ty;
e nëse ti kishe vdekur pa mua,
të të jepja frymën time;
e nëse nuk kishe më jetë,
të të jepja jetën time.

Më shfaqeshe si një vegim pa emër,
më shfaqeshe si emër pa emër,
me shtigje të pakalueshme për frymën time;
dhe në çast vdiste përsëri fryma,
shpirti, jeta ime;
vdisnin pak nga pak,
në shtigjet e pakalueshme,
në shkretëtirën e thatë,
në rrugën e mundimshme
për të ardhur tek ti,
në rrugën ku jeta vdes,
në rrugën ku vdekja ngjallet,
për të vdekur një ditë përgjithnjë
apo për t’u ngjallur,
nga lëngu i puthjeve të tua.

 

E prek…

E prek me drithërimë
shpirti,
zemrën ia marr,
e lë të zbrazur
bëhem formë e saj.

 

***

Të durosh
do të thotë të ecësh
me ty,
të kem të tutë gishta
në qafën time 
dhe drita jote,
në sytë e mi..

në sytë e mi
gëlltiten trotuaret.

Të durosh
do të thotë ta masësh
rrugën me hapa
dhe hapi im je ti.

Të durosh
është të presësh
anës rrugës
pa vështruar
kalimtarët,

të durosh
është të jesh
gjithmonë grua
që vallëzon
mes heshtjeve
e trupi
të të përthyhet
fjalëve të paardhura
si drita anës dritareve.

Të durosh është
si të marrësh një rrugë
që nuk ka mbarim
e mbarimi fillon
sapo ti dërgon…
një buzëqeshje.

 

***

Paska
një aromë
vjeshte
dita sot…

aroma
e vjeshtave
të tua.

U bëra
pemë
mbiva
për ty
dhe
gjethet
i zverdha
pa stinë.

Eja
i dashur

bëj
vjeshtën
tënde
të re.

 Thomaidha Tanuçi Cullufe

 

Letërkëmbim 1

I dashur…
Mes pluhurit, asfaltit, ajrit, ujit apo zjarrit, shpirti më ka mbetur bosh, mbushet e mbushet , për të kërkuar diku një shenjën tënde.
A e di si është kur shpirti del nga tupi?
Përse më zgjodhe mua për këtë flijim?
Shpirti pa dritë, pa lëkurë, kërkon dritën, zërin tënd, lëkurën e tij, në lëkurën tënde.
I dashur…
A e di si është të ecësh pa shpirt, vetëm me gjymtyrë që çapiten, me sy ujorë pa ngjyrë?
A e di si krahët lëshuar lëvizin në ajër si letra që i merr era dhe i çon nga të dojë?
Këmbët pa mish me kocka më orientojnë nga rruga që ecëm bashkë.
Ujorët e mi burojnë burimet e hyjnuar, i japin jetë baltovinës.
A thua i dashur, do të mbijnë orkidet e mia, apo ndoshta do të shkelen, nga këpucë pa këmbë, nga shpirtra pa trup, nga buzë pa buzëqeshje, nga dhëmbë pa buzë?!
Zëri i vdekjes më thërret. Sheh çapitjen time të patravaj, thërrmimin tim në mijëra grimca shpirti,
hatëruar prej një rrezeje pa diell, formëson një buzëqeshje të pavetëdije.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>