Nga altari i zemrës sime vetëm me ty flas – Alma Zenellari

10172753_526444684130780_2384832084243841447_n (2)Alma Zenellari

Në vend të një biografie për shkrimtaren nga Kuçova, Alma Zenellari

**********************************************************************************************************

“Ti gjelbëron brenda shqisave të mia. Ke depërtuar ditë pas dite poreve të lekurës sime, je ngjitur dhe më ke dehur nga një valë e ngrohtë, në fytyrë, duar, gjymtyrë dhe unë ndjej se si dëshiron ende të depërtosh më përtej për të eksploruar të panjohurat e botës time të mbledhur, të ngurtë të errët. Ndjej kujdesin dhe frikën tënde se mos më lëndon, mos lëndon botën time të lodhur nga erërat therrëse të së shkuarës.

Shpesh shikimi yt më vjen mes gërmash i kthjellët, i kaltër për të kaltëruar qiellin e ëndrrave të mia, për të ngjizur brenda meje dëshira të reja, për t’i parfumuar me aromë lumturie.

Depërtoj mes shkronjash, i copëzoj, i ribashkoj, i gërmëzoj me zë(që vetëm unë arrij ta dëgjoj). Kërkoj të kap atë ndjesi të cilën ti e nis tek unë nga ajo distancë marramëndëse.

Dhe ndjej prekje, prekje mollëzash, lëvizje gishtash sa të beftë e të çuditshëm, por gjithësesi njerëzorë. Ndjej prekjen e ngutshme, rrëshqitjen e tyre mbi gishtat, mbi duart e mia si në një përqafim të fshehtë dhe unë përpiqem ta ndal këtë prekje e cila duket se bën çmos të ndez një flakë, të nxjerr me ngut llavën e përgjumur që fle thellë trupit tim nga nuk e di se ku.

Mjafton një lëkundje, një lëvizje, një shkundje për të shpërthyer vullkanin e fshehtë, për ta nxjerr jashtë në eter.

Ndaj në heshtje unë i lutem gishtave të tu të mos e prekin kaq shpejt tokën time.

Dhe pse ka etje…

Nuk më mjaftojnë vetëm gërma për të ngritur dhe përqafuar portretin tënd, për të mbërritur në stacionin tënd, për të të thënë, “ po, unë ty të njoh”.

Ndoshta kjo ishte një arsye që ti erdhe sot në një formë tjetër. Erdhe me zërin tënd i bindur se kisha nevojë të ndihesha e mikluar, ledhatare, e mbushur dhe e gatshme për të plotësuar portretin tënd të panjohur.

Ti, erdhe. Vibrove tek unë përmes zërit tënd, godite lehtë receptorët e mi, që unë të kap ngjyrat e tij, dritën e kadifenjtë që rreket të më mbështjellë.

E di, më duhet kohë për t’u ngopur me këtë zë, sepse më duhet kohë ta ndjejë energjinë që përcjell, ta ndjejë si përthyhet brenda meje, ai zë.

Më duhet kohë vërtet. Më duhesh ti.

Ndaj portreti yt mbetet ende i paplotë, mbetesh ende i panjohur ashtu si një tokë e re, që pret të lulëzojë mbi të çdo spor, si një qiell i ri që pret të shkreptijë një dritë e re.

Mbetesh ende një mister provokues, drithërues, mister i largët, i afërt që e bën qënien time të të kërkoj dhe po aq t’i trembem këtij misteri….

Je ende një përzierje erërash të forta që fryjnë papushim velave të anijes sime, që ende kërkon një breg të vetin të ankorohet e sigurt, të pushoj e paqtë….” Alma Zenellari

**********************************************************************************************************

Cikël poetik i zgjedhur për Mearteka Literary…

 

15747776_1055672404541336_8393575153565064331_n

MEDITIM

Këtë herë ditëpritjet,

i numërojë me frymë,

i largpërcjell me butësinë e shpirtit tënd.

Në çdo ditëikje prek  gjurmët  e ardhjes tënde.

dhe pritja më bëhet më e lehtë.

A e di shpirt?

Sot kam nisur numërimin mbrapsht,

ditëve s’u vë emër,

veç frymë

dhe zemër…

 

TINGULLI QË NDJEK

 

Diku jashtë, përtej kohës sime

ndjej një tingull të ri

e dëgjoj, e ndjek

gati si frymë vibron mes ajrit.

ngjitet lart, kap qiellin, shpon yjet,

zbulon gjinj të rinj hënor’

Diku atje mes reve

prek fyejt e engjëjve ulur mbi pantheon,

prek tinguj melodi, harqe unifikuese,

një simfoni e tërë hyjnore zbret,

rrëshqet thellë zemrës dhe më magjeps.

Jam diku…, diku

pjalmoj poret e shpirtit me melodi,

jashtë realitetit

jashtë dhe brenda kohës sime

duke gëlltitur tinguj blu. ..

 

alma-zenellari

FRYMËZIM

 

Në ç’trill e ngjyen penën tënde,

në ç’botë misteresh, fantazish,

në penën tënde ndjej lëkundje,

shpërthime magmash dashurish.

Me penën tënde jam pikturuar,

mirazh, mister, si muza jote,

si ëngjëlldjall që s’fle, rri zgjuar,

një Mona Lizë që s’hesht në mote.

Unë s’jam prej ajrit, as prej erës,

nga botë e yjeve nuk vij, as ngjaj,

unë jam burim që lind prej tokës,

si magmë shpërthej nga barku i saj.

Unë jam nga tokë e përvëluar

nga dhê i ngjeshur dhe i fortë,

aty ku erërat shkumëzojnë,

dhe ëngjëjt nuk e zbusin dot.

 

10290200_617164451725469_3055368254901019457_n (2)

PAK PRANVERË

 

Ti do të vish,

për të më falur një copëz qiell të kaltërëm,

pak fllad të ngrohtë pranvere,

në këto net’ dimri të acarta,

ti do të vish…

Ndjej vibrimin e zërit tënd,

honeve të thella të shpirtit,

që ngjiz brenda meje

dëshira të etura, të zjarrta…

Ti do të vish,

kemi nisur një copëz ëndërr,

një copëz qiell kemi pikturuar,

do të vish për mua do të vish,

në zemrën time diellin ke zgjuar.

 

VETËDIJE

 

I përzura gjithë idhujt e rremë

nga altari i zemrës sime

ata që më shkaktuan hidhërim, brengë e dhimbje

 

Ata që shpirtin ma ndukën, ma përgjakën

me dhëmbë e thonj të helmatisur…

ata që s’njohën kurrë brenda meje femrën,

veç  gruan e braktisur..

 

Idhuj paf’tyrë,të pabesë, idhujt shtriganë,

që maskat ndërrojnë përditë

e shndërrohen në kameleon mjeranë,

mjeranë që kurrë nuk ditën,

nuk njohën ç’është dashuria,

ata që kurrë s’kuptuan tek një femër

ku gjendet e gdhendur bukuria.

 

I përzura gjithë idhujt e rremë

Ata që pragparajsës sime

s’do mund t’i afrohen dot  kurrë,

Ata që asnjëherë s’do mund ta njohin

madhështinë e kryefjalës “burrë”…

 

12308521_797002067075039_2116899671208372514_n (2)

MALL GRUAJE

 

Malli ma rrëzoi dhe pikën e fundit të lotit,

u shemb me forcë brenda meje…

gjëmoi Ai, klithi, rrebel para zotit,

u shndërrua pelin, gjakut tim ndër deje.

 

Malli m’i lodhi gjymtyrët, zemrën

duke të kërkuar më kot, pashpresë,

demon i heshtjes tënde, brenda meje vrau femrën,

femrën e dashuruar, që pa Ty vdes…

 

Malli, malli, malli,

malli që zhurit shpirtin

dhe djeg për së gjalli…

 

NJË FJALË TË VETME

 

më nis një fjalë ,

se ndoshta dimrat ndalin thëllimin,

stuhitë brenda shpirtit,

shirat ndalojnë,

trupi dhe zemra do ndjejnë gjëmimin,

shpresën si diell do përqafojnë.

 

Ma nis një fjalë ,

një fjalë te vetme,

që kraharorin të ma përndezë,

mushkrive si ajri, të më frymojë.

dhe shkretëtirë e shpirtit tim,

ujëvarëlëndinash  të nis blerojë….

 

16807716_1118081041633805_1812238099709746166_n

 

PËSHPËRIMË

 

Natën vonë me pëshpërimë,

gjumin ëndrrat m’i largove.

Prushërove shtratin tim,

nën lëkurë zjarret m’i zgjove.

 

Hieroglife nën lëkurë,

puthje, prekje, pëshpërima.

Në çdo puthje një bozhur,

nata digjte vetëtima.

 

Natën vonë kur bota flinte,

u bëmë njësh në përqafim.

Zemra, gjaku regëtinte,

malli klithte gjer në ind…

14079460_944334805675097_361785022994068022_n

 

AROMË GRUAJE

Ç’aromë ka shpirti im?!
Shpirti im,
Trupi im…
Mëngjeseve
pëllumbat ma rrëmbejnë mbi krahë
Harrohet,
merr arratinë
Me buzë çik renë e kaltëreme,
ngjitet qiejve,
pastaj zbret,
më mbush
me zjarrin e diejve.

Ç’aromë ka shpirti im,
zemra, trupi im prej gruaje?
Mëngjeseve,
një dorë gjelbërim,
pranvera derdh.
Zgjohet mbi vesë borziloku,
mbi petalin e bardhë të trëndafilit,
mbi dorën time i ngrohtë, valë

Shpirti im,
trupi im,
mbrëmjeve kthehet,
petal i përskuqur,
gjysmëhënëz e praruar.

Aromë gruaje-zgjua,
Pjalm dashurie në mua.

 

KËTË HERË KUR TI…

Të prita,
Me mallin e gruas së dashuruar,
Kanatet e shpirtit i hapa vrik,
Të më pushtonte dielli yt.
Por ditëve netëve që kaluan,
Në prekjen tënde nuk ndjeva tinguj
S’lodronte më ajo muzikë…
Kërkova qiellin e syrit tënd
Por ti e fshihje,
Shikimin nisje larg diku,
Në tjetër ëndërr, në tjetër vend
Një tjetër yll me ngut të priste.
E kur ti ike…,
(Në folenë e syve nuk mbeti mall)
Rrëzohej, thyhej,
Binte shpirti im,
Humnerave gremisej, s’gjej fjalë…
Nga pas dhimbja ime,
Hije
Fantazmën tënde,
Ndiqte.

10411386_539630546145527_2332038755066562641_n (2)

MONOLOG, PËR NJË BURRË TË HESHTUR

 

Monologoj përditë me një burrë të heshtur,
trallisur, zalisur, e çmendur nga dashuria ,
gjithmonë trokas e para,
gjalloj, frymoj, zgjoj portat e zemrës së tij…
trokas, zhurmoj, pyes, pres, hesht, qaj, qesh,
trokas parreshtur,
mbi kraharorin e një burri të heshtur…

Zemra ime çdo ditë i nis trokun e saj,
ç’jam për ty, më thuaj?.., më duaj !.
mos hesht, vuaj !
ai hesht…,
unë e pafuqishme, lag qerpikët
përballë heshtjes që zgjat,
largësisë së pamatë.
Ai hesht, më lexon, e ndjej,
më shkruan nga pak,
në ato fjalë unë kuptoj, për të sa vlej…

Monologoj përditë
mbi kraharorin e heshtur të një burri,
përditë flas, pyes, pres
çdo ditë me të e dashuruar,
në çmendurinë time vdes.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>