Djega për ato që risjell blana e kujtimeve – Xheladin Rexhepi

27497398_1771544579564468_1761460463_nXheladin Rexhepi

Një njohje ndryshe për poetin Xheladin Rexhepi:

“Fatet, vuajtjen, krajatat ekzistenciale, situatat historike, poeti arrin t‘i ngris në poetikën e tij në shkallë dramaciteti, dramacitet për faktin se ndër shekuj fati ishte po ai, fati i atdheut të robëruar. Por poeti gjithmonë shpreson dhe beson në një ideal, në një fund fatlum, prandaj dhe shprehet; /për të arritur në fund; besimi per rikthim s’është veç trillim/… /është ai lumi që asnjë grykë si vë pritë / “Argjila e shpirtit kryeneç” fq. 32.

Për nga tematika, përmbajtjet motivore poeti i rri besnik në masë të madhe krijimtarisë tradicionale, duke trajtuar motive të nduarnduarta, si;fëmijëria, dashuria, motivet historike, etj, por të përshkuara nga një gjuhë të figurshme poetike si dhe me varg të rimuar (kryesisht sonetet), çka e bën këtë poezi edhe më tërheqëse për lexim. Poeti, tregon një kujdes të veçantë, madje duke përdorur herë-herë edhe trajta dialektore dhe shenja të pikësimit (apostrofin),çka arrin që mesazhin poetik ta përcjellë edhe me efekte tingullore.

Ajo çka do të mund të dallohej si karakteristikë e veçantë e tij është spontaniteti i vargut të rimuar, ku nuk hetohet kurrfarë ndjekje e rimës apriori, apo sforcim i saj, çka do të kishte rezultuar me kuptime më të zbehta. Tërë rima e kësaj poezie ka një rrjedhë të njëtrajtshme me një fjalë buron nga një natyrshmëri e tërësishme shprehjes poetike të poetit Xh. Rexhepi.

Një pjesë bukur e mirë është poezia me motive të dashurisë e cila është e përmbledhur kryesisht në ciklet“Shigjeta e Amorit “ dhe “Blana e vendlindjes” ku dashuria në kërkim të së cilës vihet poeti është e paarritshme, apo tragjike shi për këtë “ Rrushja e Rexhës”, fq, 78, apo, “Gjëma Bjeshkës”, një krijim poetik i realizuar lakmueshëm, ku në mesin e tjerave poeti thotë; /ajo vasha që kishte varur veten/ me bisk gërsheti/ mbi varrin e legjendës ka dalë bari/ askush s’po ia dëgjon gjëmën bjeshkës. Fq.75.” Pjesë nga shkrimi vlerësues për krijimtarinë e Xheladin Rexhepit nga  Kemajl Aliu ( poet dhe vlerësues letrar).

Xheladin Rexhepi, mirret me poezi dhe gazetari që nga mosha rinore. Dallohej për qasje të artikuluar petike  dhe i reportazheve mbreslënëse. Fitues i shumë shpërblimesh letrare dhe i përfaqësuar në disa antologji , revista të kohës  të shtypura dhe ato elektronike. Dy përmbledhjet me poezi ” Herbarium i bubullimave” dhe ” I djegur në shi”  autori Xheladin Rexhepi, si bindje poetike ishte përherë i profilizuar, i veçantë në motivet që i kumtonte dhe po aq i kujdesshëm për tërë rrethanorët shprehës , me të cilët si nga strukturimi e deri te mesazhi  e imazhi poetik, një zë i plotësuar deri në identitet letrar.( editori i Mearteka Literary)

Mearteka Literary ka nderin që këtë poet ta paraqes për lexuesin shqiptar , duke i uruar edhe më tej suksese.

Cikli poetik që keni në vazhdim është nga dy momente dhe stade frymëzimi ( kohë dhe hapësirë !). Le të mbetet që lexuesi të dalloj ato pas leximit .

 

LYPETENI

Shkoj e kthehem

me Lypeteni në shuplakë

me Lypetenin në gji

vullkani që flë e zgjohet në mua

 

krahërorin me plagë vetëtimash

plisi prej dëbore dritëhijet\

mjegulla shalli që e mbështjell

nga tri here në ditë

 

Lypeteni është Piramida e Zojsit

Çerdhja e shqiponjave

Pistë për UFO

Faqe dashurie për qiellin

Dhe faltore e vashave

 

KUR U ZGJOVA

Krejt barin ma kishin prerë

Nëpër xhamat e thyer të fjalëve…

Kosëtarët me duar të përgjakura

 

ZHVARRIMI I POETIT

 

shejtët mbrëmë vonë
paskan zhvarrosur poetin
mirë kanë bërë

pse Ai fliste kur duhej heshtur
pse Ai heshtë kur duhet folur
me gozhda ka mbyllur gojën

lotët i kishte të valë
fytyrën të dylltë
gurgullimën e fjalëve të ftohtë

pylli ka mbetur pa lisa
tokës ia kanë vjedhur edhe hijen
kullat po e lëshojnë pikën
bre

falën çka s’falte poeti
statujën prej gjaku dhe ëndërre
udhët me kryqe jete

veshët na i kanë prerë
bash si qenëve n’shi
s’dëgjojmë as bombat mbi kokë

kur s’flet poet i Gjallë
vullkan shpërthen bard i Dheut
me Kosovën Pikë në zemër

 

FYTYRË HIPOKRITI

 

gjeth shelgu

secila erë e përdredhë
e përzhdredhë
shtat krrusur kokë ulur
vërtit majtas
e vërtit djathtas
me lakime nëpër stinë
me ndryshime

pranvera e han
me krimba jeshil
dhe gomarë të çmendur epshi

vera me shi
luan me ngjyra-kameleon

vjeshta e fërfëllon përdhe
përzier me brymë
përzier me pleh
sorrash

dimri ia mbulon
sytë me borë
gjeth i shelgut

kjo fytyrë e fshehur Hipokriti

27583557_1771689332883326_983125359_n

SAGA E USHTARIT TË  ÇMENDUR

 

Flini të qetë shokët e mi

Nën pikëllimin e këtyre lisave

Lëndinën mbuluar me bore

 

Flini të qetë shokët e mi

Më kurrë laraska s’ju krrokatë te koka

 

Flini shokët e mi copa e zemrës

Në kripën e lotëve të atdheut

Liria është toka që s’shkelet

 

Flini të qetë shokët e mi

Në janarin e acartë ëndërra e gjak

akulli ka mbuluar përmendoret

vetëm xhamadani I shpuar nga plumbat

më ka mbetur në dorë

 

krejt më kanë braktisur

shokët gruaja femijët

liria është cope e zemrës suaj

liria është limfa e zemrës sime

 

HIÇKURKUSHI

 

Pasha zotin

Pasha besën

Pasha bukën

 

Kam bë be e rrfe

Shtëpia është e mikut

Shtëpia është e Zotit

 

Derën hapur e lash

Krah më krah

 

Erdhën hynë e dolën

Dhe morën çka s’morën…

 

Dhe mbeta

Pa Zot

Pa Shtëpi

Pa Bukë

Pa Besë

 

Udhëve të botës

Një hiçkurkushi

 

NË BYFENË PARNASI

 

Dikush ha të tjerët zgërdhihen

Të lodhur shtrojnë fjalët

Me tym cigareje dhe raki

 

Tej pasqyrave zonja Suzi

revy erotike harmoni e zverdhur druri

një gjel I balsamosur si flamur në mur

dritëhijet plastike

 

lexoj tregimin “Vrasja e qenëve”

në “Rilindje” të së shtunës

zhurmë e patriotëve shishe të thyera të birrës

pjatat me kofshë të kripura qengji

 

Jago i Shekspirit përjarget

Pis është filani

Fisteku është spiun

Lavire shoqja e shokut të klasës

 

Pëballë kush qenkam unë

Kafja pa sheqer avulli I vetmisë

Dhe heshtja…

 

ZOTIN MA VRANË

 

një ditë me shi

dhe britma fëmijësh

 

shtëpinë ma dogjën

librat fleoret fotografitë

kujtimet shkrumb I bënë

 

m’i shanë nënë e babë

diell e hënë

dhe zotin tim ma vranë

 

djalin ma therrën me bajoneta

te Lama e Vjetër

vetëm qeni mbeti të kuiste

lidhur për gardhi

 

Shko përtej detit më thanë

Tek bren miza hekur unë

 

jam ndalur dhe po qaj

te kjo there me erë

 

ç’m’u dashkan shtëpia djali Zoti

pa liri…

 

27661697_1771544426231150_1213069994_n

 

BUZËT TUA NË XHAM

 

Hukamë e shpirtit mjegullon në dritare

Dy buzë si statujë zemre në xham

Gravure me pika shiu

Kartolinë e vitit të Ri

Që ende e ruaj

 

DARKA E GABUAR

 

Sonte ikëm nga qyteti

Thashethemet

Nga zhurma e jazit neonët tymi i cigares

Dhe avulli aromatik I makiatos

 

Unë dhe tin në malin e pashkelur

Krejt vetëm në darkën e fshehur

Të dashurisë

Hanim prushin e zemrës

 

Kur hëna doli në rogë

Si hije po na ndiqte Juda Iskarjoti

 

E dashur kush e thirri

Gjarprin mes nesh

Mos hutini syverbër unë a ti

 

Ta çelim shpirtin

Sa s’kanë fluturuar patat e egra

Të mohojmë darkën e gabuar

Të dashurisë

 

SHUSHURIMË E GËRSHETIT TË SAJ

 

Gati u mësova

Me mungesën tënde

 

Te porta e shtëpisë s’ka më zile

Zbrazët ka mbetur kuti e letrave

Krej janë harruar

Adresat tona

 

Bari i keq ka mbuluar lulet nëpër fushë

Kur zbathur vraponim nëpër rërën e jetës

Duke thithur aromën e ndotur të thashethemeve

 

Ka kohë gramafoni ka heshtur në dhomë

S’dëgjohet më as baladë e ikjes së saj

As muzikë e këpucëve tatpjetë shkallëve

Prush i valë dhe peshë e rëndë

Më bëhet lot i ndarjes

 

Fotografitë janë zverdhur

Në kartolinat e vitit të ri

Më mungojnë fjalët

“ të dua …vetëm ty i dashur”

Buzëkuqi si pikturë e puthjes

 

Kot ravijëzoj vinjetë të lira

Në bllokun tim të vizatimit

Janë shlyer dy zemrat metaforat

Me iniciale të fshehura

 

Hija e gërshetit tënd ka mbetur

Litar që m’shtrëngon rreth qafe

A dilemë për vetëvrasje

 

FERIZAJ NË MBRËMJE

 

Ferizaj është qytet fort  bukur

në mbrëmje

Për një puthje

Për një fotografi

Përderisa ecim dorë për dore

 

Te plantacioni i pemëve

Një puhizë lehtaz ua lëkund degët mollëve

 

Dikush bëhet xhelon në dritare të shkollës normale

Për një idilë dashurie që nis e shkruhet

 

Mes nesh vetëm drithërima

Heshtja poezia dhe kitara që mungon

 

Rrugicat me kalldrem

Muzikë e lehtë këpucësh

Dhe një rigë shi

 

Gjethet pranverore shushurisin

Një partiturë romantike

Unë belbëzoj me vargjet e reja të Kadaresë

Zogjtë flejnë nëpër tela të telefonit

 

Magji e dashurisë dritëson udhet

Më tëpër se neonët këtë nbrëmje

Hëna fare s’del

 

Buzët përvlojnë me zallë dashurie

Ëmbëlsirë e afshit rinor

Dhe mollën e ndaluar per ta kafshuar

 

BLANA E DASHURISË

 

Kur vura dorën në faqen e saj

Filloi të binte shi

 

Kur I shprusha me gishtrinj

Flokët ujëvarë

Filloi të rritej bari

 

Kur I vura dorën në zemër filloi të digjej

si etna Brenda që (s) shperthen

 

lumit hënor

ia vodhem valëzat e jetës

për vello të bardhe ëndërrimi

 

vetëm buzët

përflakem të kafshuara

si qershitë

 

blanë e dashurisë

kjo pranverë me lule

na u bëftë shtrat I jetës

 

GJËMA E BJESHKËS

 

Bariu me muzgun plot trishtim

Mbylli grigjën e Dhive të Kuqe

Në vathin e këngës

 

Fyellin e bëri bulim stine

Dhe krismë zemre

 

Bareshën

Paskan grabitur tartarët

 

Ajo vasha që kishte varur vetin

Me bisht gërsheti

 

Mbi varrin e legjendës

Tashme ka dalë bari

Askush s’po ia dëgjon

Gjamën bjeshkës

 

RRUSHJA E REXHËS

 

Rrushja kjo Rrushja e Rexhës

Ulur nën hije të blinit

Gjemë po I bënë trimit

Dritës së syrit

 

Dikush natën pabesisht

Ia ka prerë krejt lisat e malit\

T’mos I lidhë shaminë e lotëve

As në erë

 

T’mos mrizoj më kurrë

Grigjën e deleve

Në asnjë pranverë

 

Mallkimi ia çau aortën e zemrës

Pengu që e trazoi në gjak

Dhe buzët me afsh ia dvari

E nuk foli

 

Ah ai Zeka I Zi

Ai Zëkë Hajdini

S’ka trapazan ku fshihet më

As për lojë me Rrushën

As per allti…

 

Trimi që guxiu t”ja shprush gjijtë

Zanës së Malit

Cdo pranverë rilindet

Ai Zekë Sokoli

Nga hiri I një balade

 

OQEANET NDËRMJET

 

Mikja ime

Ka ikur koha sikur të mos kishim qenë fare

Vonë kuptuam kodin e zemrës së njëri tjetërit

Për ditët e bukura me shi

 

Dielli s’lindka më kurrë në perëndim

Vetëm copat e tretura të kujtimeve ulëzojnë

Të rigjetura në profilet tona

 

Ai zjarr I shprushur

Ndonjë fotografi e dylltë kohe

çarë përgjysmë

vargje të shkëputura si bazyleg I ndrydhur stine

nëpër faqe herbariumi

 

rrënjë kemi lëshuar secili në argjilën e vet

ashtu heshtazi me gjurmë bryme

kur dallëndyshet s’kthejnë më në çerdhe

as këmbanat s’biejnë të dielave të vjedhura

 

dollapet e vjetër të shtëpisë

mbuluar I kemi me barna qetësuese

 

mos më thuaj se ende ruan klorofilin e syve të mi

ashtu siç e ruaj une hijen e gërshetit tënd

 

kot më përshëndet me hënën praën dritares

kot të dërgoj lule plastike

mërguar kemi në dy pole të botës

monitor I ftohtë lidhja virtuale

oqeanet  ndërmjet po na dërmojnë

 

është bërë vonë sonte mikja ime tepër vonë

Koha na mashtroi sikur të mos kishim qenë fare

Qepallat janë rënduar duhet pak të flejmë

Do të zgjohemi me fëmijët përdore

Me nga një puthje në faqet e tyre

natyrisht

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>