FLATRAT E SHEKULLIT TË RI – Natasha Xhelili

 

Vështrim nga Natasha Xhelili

 

Natasha Xhelili

FLATRAT E SHEKULLIT TË RI

Rreth librit : “UDHËTAR ME PLUHUR FERRI”    i     Petraq Ristos

Në rrjedhën e viteve, në tymnajën e errët të fryteve të ndaluar, jeta na kryqëzon në labirintet e saj. Pishtarët e udhëkryqeve si zgjatime të ditëve marrin gjithë urtitë që ndeshin  në hojet e lakuara të nektarit të mbledhur në udhëtimin e ngarkuar me pluhur ferri. Udhëtari  ynë ecën anembanë duke sjellë çdo qelizë të perceptimit të tij prej poeti me dashuri, mirësjellje,protestë, ankim, duke sjellë zgjidhje, duke u ankoruar në brigje të panjohura gëzimi, dhimbjeje,force, absurdi,trishtimi, duke na bërë pjesëmarrës në aventurën e njohjes me botën që na rrethon, me botën e parë me sytë e instikteve krijues, me zemërgjerësinë e një euriditi, me zjarrin ndriçues të një profeti. Toka e pushtuar nga pluhuri i ferrit zbardh në akullnajat e saj drejt shkrirjes, copëtohet për t’u rikrijuar përsëri, bën zbaticë spektakolare, për një rikthim të bujshëm.
Laku i kohëve moderne zë për gryke klasiken në fronin e vet. Kohët e vjetra me errësirë e përçatje  sundojnë  trupin metabolik  në ekstazë. Drita zbehet në gjueti shtrigash, që mundohen t’i  fshehin sekretet e tyre thellë në brigjet e dijes njerëzore.  Inkuizicione fatesh në flatrat e përgjakura të shekullit të ri. Nuk është aspak Ferri i Dantes,me kafkën e kafshuar të kryepeshkop Ruxherit, as shëtitja ëngjëllore me Beatriçen në qiejt e Parajsës, as portreti i plakur i Dorian Grejt, as minjtë e murtajës që zhdukin njëri- tjetrin, as beteja  pa fitimtarë në afërsi të Stalingradit,as muri i pushkatimit që vdes prej frikës,po një vepër e re me përmasa universale, sjellë në letërsinë shqipe me hovin bujar të një autori tashmë të konfirmuar, me një autoritet të padiskutueshëm, Petraq Ristos.
E megjithatë ajo rrotullohet!-pohim monstruoz i së vërtetës para turrës së druve që pret të flakërohet. Drita dhe errësira ngërthehen. Laku shtrëngon fytin e ‘Asgjësë’ në kufijtë mes reales dhe ireales, mes gënjeshtrës e së vërtetës. Dragonjtë e vampirët  mbretërojnë në legjenda,duke lëshuar hijen e tyre mbi lumenjtë  e lëvizshëm nëntokësorë,që luftojnë me etjen për të zbritur në det si fitimtarë. Kafshojnë kohën e përçudnuar në kurthe rrjetash sociale. Asgjë nuk është tashmë e pamundur. Nga zemra e tokës lind një vullkan i ri. Sekretet e varrosura në gji të tokës,në shpatullat e qiellit, mrekullitë njerëzore që çlirojnë e përligjin të shkuarën,  zgjatin duart drejt pafundësisë. Pushtojnë me metastaza  vijën e kuqe të ndotjes, vrimat e hapura- varre të ozonit, që duket sikur do ta thithin tokën për ta transportuar në qiej të rinj, duke gllabëruar penelatat e jetës. Flakë të mëdha pushtojnë mendjen njerëzore. Laku tërhiqet. Shpërthimi është i pashmangshëm. Nuk  ka më “deux ex machina”sjellë nga lart,që ta shpëtojë nga kthetrat e tragjedisë, gjithçka zhuritet. Mbeten pas skelete të tradhëtuara shprese dhe një udhëtar i ngarkuar me pluhur ferri që mbart me vete shijen e hidhur të disfatës dhe krenarinë e kasketës –skakierë të padjegur nga flakët.
Prolungim hiperbolik i  të mjerëve? Vite të arta revolucioni që përfundojnë me kurthe tradhëtish të ulëta familjare? Odiseja e një dite stamposur në kurrizin e kohës në një koloni ndëshkimore? Tragjedi  të reja amerikane në kërthizë të New York-ut? Kode të ndërlikuar zbërthyer në dritën e ylberit pas shiut metaforik, shembin idhujt në përgjakje të njerëzimit. Këto janë pamje për të cilat flitet vetëm në statistika. Grataçielat ngarkohen me pluhurin e ferrit nga thirrjet dhe klithmat e protestuesve në Wall Street. Në caqet më të errët, në kthinat më të qelbura ka njerëz, gjithashtu, lypësa që shtrijnë duart drejt oqeanit të detyruar nga mosmëshira e Tokës. Uraganet vrasin shpresat e fundit. Mbi barkën e Noes, tashmë ngarkuar me makina më shumë sesa me specie të llojeve të ndryshme që krijohen pa ngurrim në laboratorët- mitër,lind një aventurë e re. Thëngjijtë e ndezur në mangallin me sytë e Cerberit ngarkuar, shënojnë viktimat e ardhshme që do të regjistrohen në portat e ferrit.
Harpa poetike ajrore e Urës së Bruklinit parandien një tragjedi të re klasike në formë, moderne në përmbajtje. New York-u shihet nga poshtë “nga këmbët e metrove që bien erë”, që treten në hijen famëmadhe të grataçielave, në ecjen  e stjuardesës që u buzëqesh pasagjerëve.
Pamja është e magjepsur:në rrugët e Wall Street-it “një kureshtar i rëndomtë” me “kasketën skakierë dhe një pëllumb mbi të…”por magjinë e madhe e mbartin katër kalorësit, katër, sa udhët e një kryqi, që kalërojnë njerëzimin: uria, kolera,lufta dhe vdekja. “Po afron stina e pestë, stina e luftrave të reja…”
Mangalli i vjetër endet rrugëve të New York-ut pa ngrohur askënd, duke bërë pyetje fëminore: kush? me gjuhën e zjarrit. Ai tallet nga  dritat e Broduejit, që e detyrojnë autorin ta fsheh atë në gjak. Ky Glob i vogël paskajshëm kthehet në Lob dhe timoni i jetës nuk dihet se nga kush drejtohet në mungesë të kapitenit. E gjithë kjo simfoni për protestë,  mbushet me  personazhe  të shumtë si veglat muzikore në një orkestër  të madhe. Autori, si një dirigjent, paraqet një pamje që përsëritet, megjithëse ai shkon në  vende të ndryshme,  në kontinente të ndryshme.
New York-u i grataçielave me shenjat e kohëve të vjetra! Ç’grotesk?!
Por autori nuk mjaftohet me paraqitjen e pelenave të New York-ut . Horizonti i tij shkon në shkretëtirën ku Gaddafi ka fshehur floririn: “gishtërinjtë tanë zgjaten drejt dritës me ligje jasemini “ që djep ka marsin, arkivol-prillin”. Vendet arabe ende nën hijen e faraonëve dhe fashove të mumjeve, me rrënjët e brishta në rërë duhet ta kuptojnë: “vetëm protestat kanë vlerë” për të arritur në një breg me emrin “Liria”.

“Sot bota s’ka nevojë për liderë,lider mund të bëhet JASEMINI
Pasword mund të ketë fjalën pranverë, për pasword shërben një rrufe dimri
Nën muskuj mund të fshehim këtë herë ca rrënjë të brishta jasemini.”

Është një pamje ideale, alternative që ofrohet prej poetit kur dihet që : “veç jasemini arab me aromën e tij trullos një botë të tërë.”
Duket se agonia nuk ka fund: katër kalorësit ecin nëpër krizën greke. Historia dhe kultura greke parakalojnë para protestuesve në rrugët e Athinës që “ka nxjerrrë në ankand ishujt”. Ndërgjegjja  kombëtare greke thërret në ndihmë heronjtë e vet që ta shpëtojnë përsëri.
Prania e mollës në historinë njerëzore është e mahnitshme. Syrit vëzhgues të mprehtë të poetit nuk i shpëton ky fakt kokëfortë. Tema e “mollës”, si dhe ne librat e mëparshëm, rimerret disa herë në këndvështrime të ndryshme. “Nga molla e Njutonit te molla e Jobs-it, molla e Satanait shfaqet” , të gjitha herët një mollë e kafshuar , e pakapërdirë dot. Mollë që pret të ndahet në tavolinë me Atë që pritet të vijë, hije molle në kopsht, mollë të ngjyrave të ndryshme në dietën vdekjeprurëse të një anoreksikeje. Rreziku i mbartur në figurën e mollës, rishfaqet në dramaturgji me mollën kërcënuese në kokën e djalit të Vilhelm Telit, të cilin autori me ironi e quan Vidh-helm Teli, në këto kohë mo-derr-ne, duke aluduar për thëniet që e trajtojnë Zvicrën si një vend neutral kur përmend në të njëjtën kohë “para të pista, miniera ari të fshehta për mijëvjeçarët e ardhshëm” në antagonizëm të plotë me “miliona lypës që zgjatin duart  të ngrohen në zjarret e Londrës, Parisit, Athinës, Moskës.” Përshkrimet poetike mbartin një histori të tërë njerëzimi, ku autori nuk është vetëm një vëzhgues,po si në tragjedinë antike ai shpreh mendimin e vet që i bashkohet mendimit të një mase të madhe njerëzish të paprekur nga interesa të ngushta, nga Kori që shfaqet herë pas here, sidomos pas ndonjë përshkrimi prekës të së vërtetës që vazhdimisht mbulohet,po që gjithnjë është atje duke nxjerrë krye.

Kufijtë nuk janë vetëm brenda planetit Tokë, njerëzit kanë blerë parcela hëne, në planetin Kepler, gjithashtu. Në tryeza shkencëtarësh kërkohen zgjidhje kur “Globi po rrudhet nga i ftohti /po plas nga i nxehti…” dhe zgjidhja që ofrojnë është antagoniste: “Bashkësi shpirtrash pa protestë “

E gjithë kjo simfoni  ndërtohet mbi bazën e detajeve karakteristike të një mjedisi të caktuar që e individualizojnë atë, por risia qëndron në shfaqjen e detajeve të njohur të një vendi në një vend tjetër që e përgjithëson ngjarjen e përshkruar, ndërkohë që me detaje të ndryshme zgjidhja që ofron autori është kudo e njëjtë: ata, 1 përqindshi “parajsën kanë prekur ende pa vdekur”kur  “pakënaqësia shton rruazat e bardha në gjak/ 99 shifërprush në të vjetrin mangall” dhe kur “në qytetet e ardhshëm të hapësirës/hipotekat s’do kenë vlerë.”
Kalimi nga notat dramatike të protestës te “Komedia e re njerëzore” në nota më të ëmbla lirike, bëhet me anë të një ishulli në formë gruaje; që fle e zgjohet me radhë me laureshat; “fsheh klithmën si lulja në agim” nga malli;përkundet në karuselin me boshtin e ndryshkur;luan me personazhet e Shekspirit në shekullin aventurier; humbet mes rrathëve shpirtvuajtës një grua në pasqyrë;tregon legjendën për  krijimin e lotit nga Zoti;dëgjon një histori prej një peshku të çuditshëm; pohon me siguri se: “nuk mbillet grurë në fushë pas betejës ku gjaku ende nuk është tharë”; kuvendon me lahutën: “e di që jam thjesht një vegël:pyll me kuaj të egjër/ jelet  i fal ti bëj tinguj muzike t’u shpall martesën me ERËN”; përshkruan me nota gazmore kundërshti të natyrës dhe shegët e çara; krijon peizazhe pas stuhisë së rënies së borës kur: “një çadër e prishur në borë:lakuriq nate/ me bastun”. Përshkrimet dhe gjetjet artistike janë të mahnitshme, ferri e parajsa shkulin portat dhe ngatërrojnë banorët që nuk duan të kthehen në banesën e mëparshme . Kjo gjë çorodit ëndrrat e të gjallëve, që përpiqen të zënë një vend të garantuar në Parajsë..
Autori e paraqet sojin e poetëve të veçantë dhe me një mision të caktuar në shoqëri. Ai nuk lë pa përmendur miqtë e tij poetë pasi ngre një pyetje retorike: “zogj/mos vallë jeni/ fjolla dashurie?…”fill pas kësaj vjen elegjia për Podrimjen: “pa mblidhuni zogj shtegëtarë në rruzullim/ këtë qiell korriku përdorni për qefin/këtë qiell ku Podrimja shkruajti poezinë…”, një vlerësim marramendës për poetin në fjalë dhe për poetin në përgjithësi. Pas një proçesi të tërë lutjesh në poezinë “Xhevair Spahiut” autori i drejtohet Zotit me këtë sfidë pagane dhe njerëzore: “ne dotë shkojmë në malin e Tomorrit, në lisin e Dodonës/ do të lutemi për të e do të ankohemi për Ty.”

Petraq Risto ne foto

Motivi i dashurisë nuk mund t’i mungojë këtij libri që ka si qëllim kryesor të jetë një vepër sa aktuale,aq universale. Dashuria është një copëz jete, një magji që na e bën jetën më të bukur: “tërfilat magjistarë të dyve na mbajnë hopa:/ne puthemi në ajër, ne puthemi në ajër!, ajo ka pamje të ndryshme, identifikohet me lulet, me qënie fantastike popullore, shfaqet nëpër caqet e jetës, për t’i dhënë një kuptim të ri asaj, të mbushet me “ kujtime-flakë që më ngrohin gjithsesi/në pistën hënake-vallëzues të rinj”. Ai e përshkruan dashurinë e vet,në ëndrrat e tij Ajo projektohej me tipare e virtyte, lëviz nëpër të gjitha stinët, duke marrë ngjyra prej tyre,duke u bërë e rëndësishme,e përjetshme, aq sa autori shprehet: “Krijoj Kohën e Re me emrin e përveçëm: Dashuri”

I gjithë libri është ndërtuar mbi bazën e përjetimit të kohës, natyrës e ndjenjave të poetit në vende të ndryshme, që karakterizohen skajshëm me toponime,cilësi individuale,por që i bashkon këndvështrimi unik i heroit lirik, që shpesh identifikohet me poetin. Ai përdor me sukses vargun e lirë, (s’ka si të ndodh ndryshe në një vepër me përmasa të tilla),duke këputur prangat e kohës që do ta rreshtojë në tik-takun e vet. Vargu heterometrik, i pushtuar herë pas here nga përsëritjet e llojeve të ndryshme, që sillen si jehona në poezinë e Ristos,është një varg dinamik,i ngarkuar me ritëm, rimë e melodi,i shkëputur nga kanonet klasikepër të thyer simetrinë e  vargut. Në pamje të parë duken si fjali të gjata,po gjatë leximit mposhtet ideja e prozodisë që zëvendësohet me një varg të ëmbël të strukturuar mirë që të bën ta shijosh e përceptosh gjatë pasi e ke lexuar.
Vepra mund të shihet edhe si një fjalor i ri etimologjik, që kuptimet e shumë fjalëve(kontekstuale kuptohet)riintegrohen në kuadrin poetik. Gjetjet janë fantastike dhe paraqitja etyre në formën e një analize fjalëformuese sjell një shpjegim të ri bindës të perceptueshëm  me largpamësi.  Autori e shpjegon modernen  si  mo-derr-ne, hijen si hi-je, mëndafshin si mënd+afsh, foljen ngashëre si nga-shi-re dhe shumë shembuj të tjerë.
“Udhëtar me pluhur ferri”, është udhëtimi i çdonjërit prej nesh që beson se ky udhëtim quhet JETË. Në çdo moment kemi vdekjen mbi krye se ne jemi vdekatar. Pluhuri i ferrit nuk duhet të na tremb, po duhet të ecim, drejt brigjeve të ëndrrës sonë, të përballemi me të gjitha pengesat që pluhuri i ferrit na sajon, të përflakim rrugën tonë për të marrë sa më shumë të tjerë me vete,për ta bërë këtë udhëtim sa më të veçantë. Rruga do të jetë gjithnjë e vështirë,më e ndërlikuar, por ëndrra jonë duhet të jetë një busullë apo yll polar që shënon në çdo hap të këtij udhëtimi një flamur fitoreje, një cak të harruar, të rilindur që pret të bëhet një ëndërr e madhe e përbashkët, një plagë më shumë në trupin e ferrit, të cilin e njohim gjithnjë e më tepër gjatë këtij udhëtimi.

SHKRUAR NGA

Natasha Xhelili

Natasha Xhelili lindi në Krahës të Tepelenës .
Studimet e para i kreu në vendlindje, ndërsa të mesmet  në shkollën pedagogjike “Luigj Gurakuqi” Elbasan.
Ka përfunduar studimet e larta në universitetin “Eqerem Cabej” Gjirokastër në degën gjuhë dhe letësi shqipe.
Poezitë e para  i ka shkruar që në moshën 10-vjecare, po ciklin e parë me poezi e ka botuar në vitin 2000. Shkruan prozë, poezi  dhe shfaq mendimin e saj kritik për  dukuri  dhe drejtime letrare të kohës në shtypin letrar  periodik. Në shtator 2013 boton librin e parë me poezi “Mali sheh ëndërr”. Ndërkohë ka gati për botim vëllim me tregime, një libër për fëmijë dhe shumë projekte të tjera që do të zbulohen së shpejti. Jeton në Delvinë. Punon si mësuese.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>