Ç’është poezia? – Roman Jakobson

Ç’është poezia? – Roman Jakobson

 jakobson
Roman Osipjeviç Jakobson (Moskë 1896 – Boston 1982), një ndër figurat më qendrore të formalizmit rus, pastaj, së bashku me Trubeckoin dhe Muharzhovskin –  të rrethit linguistik të Pragës.  Mësues i madh i revolucionit gjuhësor nën emrin “strukturalizëm”, ai çeli shtigje të reja studimore, duke i shtjelluar dhe zhvendosur ato në rrjedhat e semiologjisë dhe ato të semiotikës. Gjuhëtar dhe poeticien, Jakobsoni dha një kontribut vendimtar për analizën e fakteve të imëta potike që konsideroheshin asokohe si faktorë margjinalë, duke provuar se poezia, është krijesë sa e vetëdijshme, aq edhe e pavetëdijshme e gjuhës.  Studimi i mëposhtëm është shkëputur nga përmbledhja me punime të zgjedhura të Jakobsonit “Gjuha dhe e pavetëdijshmja”

 

*   *   *

“Harmonia është rezultat i kontrastit, – thashë.  Gjithë bota është krijuar prej elementësh të kundërt, dhe. . .  “Po poezia, – më ndërpreu ai, – poezia e vërtetë – sa më e gjallë dhe e papërsëritshme të jetë bota e saj, aq më kontradiktore jonë kontrastet, përmjet të cilave shfaqet afiniteti i fshehtë. “

Karel Sabina (1813 – 1877), biograf dhe mik i ngushtë i poetit çek të romantizmit, Hinek Mah (1810 –1836).

 

 

Ç’është poezia? Para se të përkufizojmë kuptimin e kësaj fjale, do qe më mirë t’ia kundërvinim atë asaj “çkaje” që nuk përbën poezi.  Por, t’ia qëllosh, se çfarë nuk është poezi, këtu puna na qet do telashe.

Lista e pranueshme e termave poetikë në kohën e periudhës neoklasike të romantizmit ka qenë mjaftë e kufizuar.  Inventarin e saj tradicional e përbënin: hëna, liqeni, bylbili, shkëmbi, trëndafili, kështjella e të tjera sosh kësodore.  Romantikëve nuk u lejohej as në ëndrra ta braktisnin këtë rreth tradicional.  “Sot pashë në ëndërr, sikur gjendesha mes ca rrënojash që shembeshin përqark meje, – shkrun Mahu, dhe diku poshtë në një liqen pashë një nimfë. . .  të dashuruar, e cila  po kërkonte varrin e të dashurit të saj, për t’u bashkuar me të. . .  dhe mandej skelete parzmash fluturonin nga dritoret e rrënojave gotike”.  Dritoret gotike, mundësisht të përshkuara nga drita hënore, parapëlqeheshin si gjëja më e lartë krahasuar me  dritoret e tjera.  Kurse në ditët tona xhamat e pasqyrta e monstruoze të MAPO-ve, dritoret e qelqta me të dhjera mizash të bujtinave fshatare kanë po të njëjëtën vlerë poetike. Dhe të hedhësh prej tyre në ditët tona mundesh, jo vetëm skelete, por ç’të të zërë dora.  Poeti surrealist çek, Vitjesllav Nezval, shkruan:

 

Sa më fort ta shpërfaqësh artin e thjeshtë e t’harruar,

Aq më tepër verbohet kopshti ndërmjet frazave.

Unë s’mund t’i dalloj më gjërat për shkak t’asaj bukurie

Ase shëmtie, që i pagëzuat ju.

 

Për poetin bashkëkohor, sikundërse dhe për Karamazovin e vjetër, “nuk bëjnë vaki gjëra të tilla si “femra e shëmtuar”.  Asnjë qoshk i fshehtë, asnjë myshteri, asnjë peisazh apo mendim nuk mbetet tanimë jashtë objektit të poezisë.  Me tjera fjalë, nga pikpamja materiale, objekti i poezisë është çështje që s’çon më peshë.

Po a është i mundur vallë përkufizimi i gamës së receptimeve poetike? Kurrsesi jo: gjithë historia e letërsisë dëshmon për ndryshueshmërinë e vazhdueshme të tyre.  Receptimi i vetëdijshëm nuk e rëndon artin me asnjë lloj tabuje.  Mjaft të kujtojmë  sa shpesh dadaistët dhe surrealistët ia linin në dorë rastësisë së ngjarjeve shkrimin e poezisë.  Ia vlen të kujtojmë ç’kënaqësi provonte poeti i madh futurist rus, Velimir Hljebnikovi, prej gabimeve tipografike: gabimet tipografike, thosh njëherë ai, e shfaqin veten nganjëherë artistë të klasit të parë.  Në mesjetë gjymtimi i statujave klasike shpjegohej si injorancë, sot skulptori vetë i krijon statujat e veta të gjymta, por rezultati (sinekdota vizuale) është po ajo. Si mund ta interpretojmë muzikën e Musorskit apo pikturën e Anri Rusosë? Si gjenialitet apo si injorancë artistike të krijuesve të tyre? Çfarë përftojnë gabimet gramatikore të Nezvalit? Mangësi diturish shkollore apo shpërfillje të ndërgjegjshme të tyre? Në ç’mënyrë mund të zbutej diktati normativ i gjuhës letrare ruse, nëse nuk do të qe një Gogol ukrainas me rusishten e tij të papastër? Ç’mund të shkruante Lotreamoni në vend të Shants de Maldoror, po të mos kish qenë i lojtur? Spekulacione të ngjashme kanë vend në temat anekdotike, si tek tema e njohur e hartimit shkollor: “Si do mund t’i përgjigjej  Grehtena Faustit, nesë ajo do të kish qenë burrë?”

Po dhe nëse ia kemi dalë t’i ndajmë receptimet që karakterizojnë poetët e periudhës romantike, prapseprapë, do të na binte të përcaktonim linjën e kufizuar ndërmjet poezisë dhe jo-poezisë.  Por vetë ato aliteracione dhe tipe të tjera receptimesh eufonike përdoren në këtë periodë edhe në retorikë; për më tepër ato lindin edhe në gjuhën e bisedave të përditshme.  Bisedat në tramvaje jan dëng me qyfyre, të bazuara në po ato figura, sa edhe poezia lirike më e koklavitur, ndërsa kompozicioni bashkpërkon me po ato ligjësi të konstruktit ligjërimor, të cilat i ndjekin me merak të madh tregëtarët, apo më sak, tregëtarët më të mirë të vitit të shkuar (në varësi nga shkalla e zgjuarsisë evolutive të intrigantëve).

Konturi, që ndan kufirin e një vepre poetike nga ajo jo-poetike, nuk është m’i qëndrueshëm, nga ç’janë kufijtë administrativë të perandorisë Kineze.  Novalis dhe Malarme janë kundruar si alfabete monumentale në veprën poetike; poetët rusë të mahnisin me listën poetike të verërave cilësore (Vjazjemskij 1), me inventarin e gjatë të garderobës cariste (Gogol), me oraret hekurudhore (Pasternak) e madje me faturat e lavanterive (Krjuçenyh).  Sa poetë bashkëkohorë shpallin se reportazhi na qenka zhanër më artistik nga romani ase tregimi? Madje pohorska vesnice (fshati malor), tregim i njërit prej prozatorëve pararendës të mes-shekullit XIX, të  Boxhena Nemcova (1820 –1862),  zor se mund të mburrej sot me sasinë e madhe të adhuruesve: epistolari i saj personal na duket sot si një vepër e shkëlqyer poetike.

Këtu ka vend për një anekdotë.  Njëherë, kur kampioni i botës për mundje klasike, pothuajse po humbte ndaj kundërshtarit, njëri prej spektatorëve kërceu nga vendi dhe shpalli, ndërkaq, se kampioni po e humbte ndeshjen kastile, sipas një marveshjeje të bërë paraprakisht, ndaj thirri në tapet fituesin dhe i komunikoi humbjen.  Të nesërmen doli në gazetë një artikull, ku thuhej se, si për të parin, ashtu dhe për të dytin (shikuesin) qe stisur kasten ujdia.  Shikuesi, vjen në redaksinë e gazetës dhe ia jep me dackë turinjve redaktorit përgjegjës për publikimin.  Por edhe më pas u sqarua, se edhe artikulli i gazetës, edhe shikuesi sedër-vrarë vepruan si aktorë në mistifikimin e parapërgaditur.

Mos i besoni poetit, i cili në emër të së vërtetës së botës reale apo ndonjë gjëje tjetër refuzohet nga krijimtaria e vet e së shkuarës, në poezi apo në art. Tolstoi bënte kryq i tërbuar nga veprat e veta blasfemike, por, në vend që ta ndërpriste zanatin e vet të shkrimtarisë, ai shpikte veçse udhë për forma të reja letrare.  Rëndom është vënë re: kur aktori heq maskën, shikuesi dallon vetëm grimin në fytyrën e tij.

Mos i besoni kritikut që e kthen poetin mbarë e prapë në emër të ndonjë të vërtete apo origjinaliteti.  Gjithçka që ai bën realisht, të çon, në fakt, drejt një shkolle poetike, d. m. th, një rradhe receptimesh që deformojnë materialin, në emër të një shkolle tjetër poetike, të një tjetër rradhe që dërmon perceptimin.  Artisti luan jo më pak me trille, kur shpall se kësaj rradhe merret me Wabrbreit (të vërtetën) e pastër, dhe jo Dichtung (poezinë), sikundër dhe atëherë, kur ia mbush mendjen auditorit, kinse puna e mësipërme duhet marrë si trillim, që “poezia është si tersi, është një mashtrim i madh dhe se, poeti, që nuk ka dhunti të gënjejë qysh me fjalët e para, nuk vlen asnjë grosh”.

Ka historianë letërsie që dinë për poetin më shumë sesa vetë poeti, më shumë se esteti, i cili analizon strukturën e veprës së tij, dhe se psikologu, i cili gjurmon strukturën e shpirtit të tij. Me bindjen e mësuesit të shkollës së ringritur si Llazari, këta historianë letërsie vënë në dukje, se në veprën e  poetit rezulton “dokumenti njerëzor” dhe ajo përbën “sëshmi të vlerës artistike”, apo del “sinqeriteti” dhe “pikpamja e natyrshme për jetën”, ose “falsiteti” dhe “talenti i përpunuar letrar”, i cili “rrjedh nga zemra” dhe se ky “është tregues”.  Të gjitha citatimet janë nxjerrë nga një kapitull vepre studimimore  Hlavecek’s Decadent Erotica, i Fjodor Soldanit.  Soldani përshkruan raportet ndërmjet poezisë erotike dhe jetës erotike të poetit, në atë farë fejë, athua se ka të bëjë me artikujt statikë të enciklopedive, dhe jo me tërësinë dialektike në shndërrimet e saj të vazhdueshme, mu sikur po këqyr një shenjë dhe një objekt të shenjuar prej tij, si lidhjet e patradhëtueshme e monogame të segmenteve me njëri tjetrin, mu sikur s’ka ndier fare për parimin psikologjik në këtë shekull, sipas të cilit, asnjë ndjenjë nuk është aq e pastër, sa të mos jetë përzier me të kundërtën e saj (ambivalenca ndjenjore).

Studimet e shumta në sferën e historisë së letërsisë vazhdojnë ta aplikojnë akoma skemën dualistike: realitet psikik-trillim poetik, duke kërkuar ndërmjet tyre lidhje mekanike shkakësie, kësisoj, mëkat të mos sjellësh në mendje dilemën që e torturonte atë fisnikun e vjetër francez e, pikërisht: bishti  është sajuar për qenin, apo qeni për bishtin?

Ditari i Mah-ut, dokument shumë instruktiv, i cili në kohën e vet ka qenë botuar me shkurtime të mëdha, do të na provonte shterpësinë e këtyre ekuacioneve  me dy të panjohura.  Disa nga historianët e letërsisë mbështeten vetëm në veprën e publikuar të poetit, duke i anashkaluar të gjitha problemet biografike: të tjerë mundohen të përqëndrohen e të buburrojnë sa më imët në jetën  e poetit.  Duke pranuar denjësinë e të dy qasjeve, ne vërtet hedhim poshtë pozicionin e atyre historianëve të letërsisë që zëvendësojnë biografinë e vërtetë zyrtare në të mirë të interesave shkollore. Ditari i Mah-ut qe dëlirur e harrur më qëllim, që djlmoshat sy-ëndërritës, të magjepsur nga statuja e tij në Parkun e Pjetrit, të mos i bjerrin iluzionet e tyre.  Por, siç ka thënë një herë Pushkini, letërsia (pa zënë n’goje historinë e letërsisë), nuk mund t’i zërë në hesp çupërlinat pesëmbëdhjetvjeçare.  Ama, çupëzat pesëmbëdhjet vjeçare, lexojnë gjëra shumë më të rrezikshme se ditari i Mah-ut.

Ditari, me një tejdukshmëri epike përshkruan aktet fiziologjike të autorit – si ato të shkërdhimit, ashtu dhe ato orale.  Me një rregullsi precize dhe me një përkujdesi të pamëshirë prej llogaritari ai regjistron, si dhe sa shpesh u shullë në dalldi seksuale me mikeshën e tij Lora.  Karol Sabina shkruan për Mah-un ksisoji: “Vështrimi tejpërshkues i syve të zes, balli i lartë, brazduar mendimesh t’thella, tiparet medituese të fytyrës, aq shpesh pështjellë prej një veli të zbehtë melankolie – ky pol tiparesh femërore, – ja ç’e tërhiqte  si me magji marrosjen e seksit të bukur pas tij”.  Dhe pikërisht ksisoji ngjit bukuria femërore në tregimet dhe poezitë e Mah-ut, anipse në ditar përshkrimi i detajeve t’përjashtme të mikes së tij të çon ndërmend, ma s’pari, përfytyrime surrealiste mbi torsin e femrës pa kokë te Jozef Xhimit 1.

Mundet vallë që raportet mes poezisë lirike dhe ditarit bashkpërkojnë  ndërmjet Dihtung (trillimit) dhe Wahreit (së vërtetës) ? aspak jo.  Të dyja këto aspekte janë të barasvlefshme; ata janë gjithsesi dy domethënie të ndryshme, ose, me terma më të saktë shkencorë, janë dallime të nivelit semantik të njërit dhe tjetrit objekt, të njërës dhe tjetrës përvojë, apo siç do të thoshte kinoregjizori, dy dallime të marrjes dhe heqjes së po të njëjëtës skenë.  Ditari i Mah-ut është një vepër e tillë pra, si dhe Maji (Maji – poemë epike, e cila më shumë se gjithçka tjetër i dha lavdinë Mah-ut) dhe Marinka (Marinka, tregim).  Në të nuk ka gjurmë utilitarizmi: shqeto art për art, poezi për poetin.  Nëse do të ishte gjallë sot Mah-u, po kështu do ta kishte shkruar poezinë lirike (“Vjeshtë e vogëlth, o i vogëlthi dre i bardhë, dëgjoma përgjëratën time. . . “) – kjo për veten e vet, për pëdorime intime, ndërsa për publikim – do të parapëlqente ditarin).  Së këndejmi atë mund ta krahasonin Xhojsin dhe Lourensin për piktakimet e përbashkëta që ka me ta, andaj kritiku do të shkruante se këto tre autorë “përpiqen të japin portretin e vërtetë të njeriut, i cili i ka flakur të gjitha kufizimet dhe tabutë dhe tash noton në të kundërt të rrjedhës dhe frymëmerr si një kafshë me instikte të pastra”.  Pushkini ka shkruar një poezi, e cili fillon kështu:

 

Kujtoj at’ çast mrekullimi,

Kur para meje u shfaqe ti,

Si vezullim i një vegimi,

Si ëngjëll plot me ëmbëlsi.

 

Tolstoi plak u vu në siklet të madh prej një letre hokatare, të cilën Pushkini ia dërgonte mikut të tij, ku femrën e poezisë së mësipërme ia përshkruan kështu: “Sot, me ndihmën e Zotit shtiva në dorë Anna Petrovnën”, (në origjinal kjo frazë është edhe më e vrazhdë e banale).  Por të tilla farsa mesjetare si Matiskar (Mamka), janë krejt larg nga blasfemia!  Oda dhe brulesku janë të vlerave të njëjëta; këto janë thjesht dy zhanre të ndryshme, dy mundësi shprehjeje të së njëjëtës temë.

Tema, prej së cilës nuk pushoi së menduari Mah-u, ka qenë dyshimi, mos nuk ka qenë ai dashnori i parë i Lorës.  Në poemën Maj-i, ky motiv tranfigurohet si më poshtë:

 

Oh, ajo të rrijë me mua! O engjëlli im!

Përse pra, re, para se të të njihja?

Tunduesi yt – im atë, im atë – rivali im!

Vrasës pati të birin! Im atë – mashtruesi

I së dashurës sime, fshehtas meje, pas shpine.

 

Diku në ditarin e tij Mah-u përshkruan, se si, duke e shtënë në dorë dy herë Lorën, i pati thënë, se “ajo i ka lejuar vetës t’i jepet edhe dikujt tjetër”.  Ajo deshi të vdesë.  “O gott”, – tha ajo, – wie ungluklich bin ich!2.  Mandej pason një tjetër skenë erotike, përshkrim i imët, se si del nga binarët poeti.  Fragmenti mbyllet kështu: “O Zot, fale atë edhe nëse më tradhëton.  Unë vetë do ta fal.  Por vetëm nëse më dashuron.  Edhe me një kurvë do të isha martur, veç ta dija se më dashuron”.

Sikur mos t’a kisha thënë se varianti i ditarit është fotografi e përpiktë e riprodhimit të realitetit, ndërsa Maj-i – trillim i pastër i poetit, – kjo do ta thjeshtonte çështjen.  Ka gjasa që Maj-i, të ketë qenë i nginjur cit me kompleksin e Edipit (im atë – rivali im), madje edhe më i sinqertë sesa ditari, ngase në të ceket demonstrimi i ekzibicionizmit shpirtëror.  Motivi i vetvrasjes në poezinë e Majakovskit konsiderohej dikur si truk i thjeshtë letrar.  Do të mendonim kështu gjer më sot, nëse sikundërse Mah-u (që vdiq nga pneumonia në moshëm 26 vjeç) – të  vdiste për të njëjëtën arsye dhe Majkovski.

Sabina shkruan, se “epistolari i Mah-ut përban fragmente përshkrimi neoromantike.  Kjo ngjan me shembëlltyrën e vetë poetit, njëlloj si modelet e personazhëve të tij të brerë nga dashuria.  Heroi i  këtij fragmentit “Vrau veten në këmbët e së dashurës, që kaq marrëzisht e deshi dhe e cila edhe më marrëzisht iu dha”.  Duke menduar se ajo qe tunduar pas dikujt tjetër, ai përpiqej t’i nxirrte asaj emrin e dashnorit, për t’u hakmarrë mandej.  Ajo mohi gjithçka.  Ai zien nga tërbimi.  Ajo betohet se s’ka ngjarë asgjë.  Mandej, mu si vetëtimë ia përshkon trutë ideja: “Ndëshkim për të është t’i vras dashnorin.  Ose ta ndëshkoj veten me vdekje.  Le të jetojë ajo pastaj.  Unë nuk mundem”.  Kështu ai vendos të bëjë vetvrasje, i prerë në vendimin e vet, ngase e dashura, “ky engjëll i përvuajtur, nuk don t’i shkaktojë dhimbje dashnorit”.  Por, në minutën e sprasme ai e kupton se “ajo i ka vënë brirë” dhe se, “fytyra e saj engjëlluere që shndërruar në fytyrë djalli.  Ja si e përshkruan Mah-u tragjedinë e dashurisë së tij në letrën drejtuar mikut më të besueshëm: “të kam pas thënë, se vetëm një gjë është e zonja të më çartë nga mendttë e kresë.  Dhe kjo gjë çatisi: “ein Notzucht ist unterlaufen” (nuk shtyhet më me pahir).  Të dashurës sime i vdiq nëna.  Një betim i tmerrshëm është marrë mbrëmë mbi varrin e saj. . . dhe. . . kjo s’ka të bëjë me të vërtetën, – se unë – ha-ha-ha, s’kam lojtur menç, Eduard, por uluriva, u marrosa”.

Kësisoj, mbeten tre variante: vrasje dhe ndëshkim, vetvrasje dhe ligjërim emfatik, pas së cilit vjen paqëtimi.  Secili prej tyre qe përjetuar prej poetit; të gjitha këto variante janë ekuivalente, pa marrë parasysh, se sa këto gjasa janë mishëruar në jetën e poetit, dhe sa në krijimtarinë e tij.  Kush mund të na shoqërojë nëpër linjën ndërmjet vetvrasjes dhe duelit që i mori jetën Pushkinit, dhe fundit absurd të Mah-ut.

Roportet e shumanëshme ndërmjet poezisë dhe jetës private pasqyrohen, jo vetëm në mundësinë jashtëzakonisht tipike për vetshprehjen e Mah-ut, por edhe në atë manierë lakonike, në të cilën motivet letrare mpleksen me ato jetësore.  Aq më tepër funksioni social i gjendjes së Mah-ut është po kaq i denjë për t’u studiuar, sa ç’është dhe gjeneza e tyre filologjike.  Sikundërse e ka vënë në dukje në pamfletin e shkëlqyer Rozervanes (i pakënaquri), kritiku dhe dramaturgu Xh. K. Til, bashkëkohës i poetit, fjala e Mah-ut: “dashuria ime qe e mashtruar”, nuk i mvishet atij personalisht, por nënkupton njëfarë roli, gjersa deviza e shkollës së tij proklamonte: që “vetëm dhimbja mund të jetë materie e poezisë së vërtetë”.  Në nivelin e historisë së letërsisë (dhe vetëm në këtë nivel) ka të drejtë Til-i, kur thekson, se “të kesh mundësi të thuash se jam fatkeq në dashuri, kjo ka qenë veçse një dobi e plogësht e Mah-ut”.

Tema e tunduesit – dashnorit xheloz – është mundësi komode për të mbushur pauzën, periudhën cfilitëse të brengës me një tjetër dëshirë kënaqësie.  Ndjenja e rëndë e dyshimit shndërrohet në motiv të vjetër kovencional, aq mirë të lëvruar nga tradita poetike.  Mah-u në letrën drejtuar mikut të tij e nënvizon vetë ngjyrimin letrar të këtij motivi: “As Viktor Hygo, as Ëzhen Sy në romanet e tyre më të tmerrshme nuk kanë qenë të zotë të përshkrujnë ato që ka përjetuar unë – dhe unë jam poet”.  Çështja, në ka ekzistuar vallë ndonjë bazë e vërtetë për aq dyshime shkatërrimtare – siç aludon dhe Til-i – ka lindur veçse nga liria e trillimit poetik, e rëndësishme vetëm për mjekësinë ligjore.

Çdo akt ligjërimi, në një farë kuptimi stilizon dhe tranfiguron ngjarjet e verbalizuara prej tij.  Atëherë mënyra si realizohet përcakton qëllimin, përmbajtjen emocionale, auditorin të cilit i drejtohet, “cenzurën” paraprake, përmjet së cilës ai përcjell vargun e imazheve të gatshme.  Përderisa “poetika (poeticity) e aktit të ligjërimit, e tregon aq mirë që komunikimi këtu nuk ka bazë domethënie, atëherë “cenzura” mund të jetë e dobësuar, e shurdhër.  Janko Karl (1822 – 1876), poet sllovak me të vërtetë i talentuar, i cili në kreshpërimet e tij mahnitëse, të improvizuara me aq finesë, e shkatërron kufirin ndërmjet jermisë dhe këngës popullore, poet, pra, që është edhe më i lirë në flatrimet imagjinative dhe më i drejtpërdrejtë në provincializmin i tij të rafinuar, nga ç’është Mah-u, – ky Janko Karl, në po atë masë, sa edhe Mah-u paraqet në vetvete shembullin klasik të kompleksit të Edipit. Ja çfarë të dhënash nxjerr Bozhena Nemcova  në një letër ku i përshkruan një miku mbresat e para nga Janko Karli: “Ai është një ekcentrik i tmerrshëm, ndërsa gruaja e tij, anipse shumë e mirë dhe e re, është krejt naive.  Ajo me të vërtetë është katandisur në një shërbetore për të. Ai më tha, se në jetën time ka ekzistur veçse një femër që e kam dashur përbi gjithçka, dhe se kjo femër na ish nëna e tij.  Ai e urrente t’et me një pasion po të tillë: babai ia torturonte të ëmën (njësoj siç torturon ai tash të shoqen).  Ai më siguroi, se nuk ka dashur gjer më tash asnjë njeri, ç’prej vdekjes së saj.  Pata përshtypjen se ky njeri ka për t’i ngrysur ditët në ndonjë çmendinë!”.  Por edhepse me këto nota çmendurie që trembën dhe sypatremburën Bozhena Nemcova, vula e pazakontë e infantilizmit të Karlit nuk të shkakton asnjë lloj alarmi në poezinë e tij.  Të publikuar në veprën e titulluar Citanie studujecei mladze (Lexim për rininë shkollore), ato të duken jo më shumë se një maskë, sidoqë në të vërtetë ato e zhveshin dashurinë tragjike të djalit ndaj nënës në një kuptim aq të drejtpërdrejtë, sa rrallë ka njohur ndonjëherë poezia.

Për çfarë bëjnë fjalë baladat dhe këngët e Karlit? Dashuria pasionante e nënës, e cila “Kurrëmë nuk mund të  rrojë e ndarë”; ikja pa kthim e djalit, i cili kalon në besim të palëkundshëm, pa honepsur këshillën e së ëmës, se “Gjithçka është e kotë”.  Kush mund të shkojë kundër fatit? Unë jo”.  Pamundësia e kthimit “nga viset e largëta në shtëpi tek nëna”.  Nëna e dëshpëruar kërkon djalin: “Përmes gjithë botës ndjehen rrënkimet  përthellë varresh, por lajm as fjalë nga  biri s’ka”.  Djali pikëllimplotë kërkon dëshpërueshëm të ëmën: “Përse të kthesh në shpi tek vëllezërit, tek babai, përse të kthesh në fshat, o fajkua me fletë? Nëna jotë t’iku atje ku s’kthehen”.  Tmerri fizik është tmerri i Jankos së çuditshëm, të dënuar me shuarje, bashkë me ëndrrën e Jankos për barkun amnor, na çojnë ndërmend tema bashkëkohore poetësh surrealistë, të tillë si Nezvali.

Ja jë fragment nga Historie sesti praznuch domi (Historia e gjashtë shtepive të shkretuara):

 

 

Mama, vegimet më ndjekin, mama,

Vegimet më ndjekin, më hanë

I ndjek dhe unë vegimet,

Vegimet që ndjek edhe ha.

Sa do të desha, mama, prore të mbetem përposh

Ndërmjet vitrinash me kafshë përfytyrimesh.

O, mos dil nga muzeu i vjetër

Me figurina qirinjsh

Në sheshin e pazarit, ku ndëshkojnë realitetin.

 

Kurse tani – një fragment nga Zverbovanry (rekruti):

 

O mama, ashiqare, tët bir ti s’e deshe –

E linde mjerimesh, me brenga e veshe!

Në botën e akullt e bosh e flake tët bir

Si lulen e brishtë thëllimit të ngrirë.

Ndo njerëzit asaj erë nuk i morën

Po e këputën – pse vallë e shkërmoqën?

Ah, si shkrumbet lugina  pa një pikël shi –

Po qind hërë më eshkë heq Jani i zi.

 

Antiteza e pashmangshme u fluksit të papritur të poezisë në jetë është jo më pak e papritur se rrëkeja e saj.  Ja, përsëri Nezvali: kësaj herë me çelësin e shkollës poetike surrealiste, krijimin e së cilës e mundësoi vetë:

 

Kurrë nuk kam shkelur nër këto rrugë.

Po ta humbë fytyrën, si mund ta gjej?

Vezë e bardhë e pulës së zëzë

Plot tri ditë afshi e mban.

 

Gjithë natën e lume angulliu një qen

Prifti, prifti po kalon,

Ai të gjitha dyert i bekon

Si palloi pendët e veta.

 

Kalojnë funerale, funerrale, bie borë,

Veza rend përqark varrit, veza rend.

Ja si plasi tevona shakaja:

Në vezë qenkësh djalli.

 

Ndërgjegjia ime e sëmurë ngrihet kundër meje.

Atëherë rro, rro pa vezën tënde,

Lexues, o trap:

Veza qe e zbrazët.

 

Ithtarët e tërbuar të poezisë së revoltës, aq shumë qenë zhgënjyer nga këto lojëra poetike, sa u përpoqën me sa u hante takati t’i shurdhonin ato, pse bezdia i pati ngërthyer aq, sa folën për farë rënie të Nezvalit dhe tradhëti krijuese.  Sidoqoftë, jam i mendjes e, thellësisht i bindur, se këto poezi fëmijnore e të drejtpërdrejta, nuk janë një shpërthim më pak domethënës, nga ç’është lirika e tij, pamëshirë ekzibicioniste dhe e sajuar me kujdes të madh.  Ata janë pjesë e tërësisë së betejës, e betejës së bashkuar që të mos i lejojë vetës të tilla mardhënie me fjalën, si me fetishin.  Gjysma e dytë e shek.  XIX, ka qënë periudha e papritur e inflacionit të prerë të ligjeve linguistike.  Ky fakt mund të dëftehet kollaj nga pikpamja sociologjike.  Fenomeni kulturor tipik i asaj kohe është intencioni për ta fshehur këtë fakt me çfardo çmimi dhe, për të forcuar besimin në fjalën libreske me të gjitha mjetet e mundshme.  Pozitivizmi dhe realizmi naiv ne filizofi, liberalizmi në politikë, shkolla Jungramatiker (orientim i ri në gramatikë) në linguistikë, – ka qënë qetësuese për iluzionet në letërsi dhe skenë (me iluzionet si natyralizmi naiv, ashtu dhe me dekadencën e shumllojshme solipsike), automatizimin e metodës në teorinë e letërsisë (si dhe për shkencat humanitare dhe të natyrës në përgjithësi).

Dhe sot! Fenomenologjia bashkëkohore po zbulon njërin pas tjetrit trillet gjuhësore.  Ajo diti te demonstrojë rëndësinë e shkallës së parë të dallimit ndërmjet shenjës dhe objektit të shenjuar, ndërmjet kuptimit të fjalës dhe përmbajtjes, mbi të cilat është drejtuar domethënia.  Një fenomen anolog ekziston edhe ndër shkencat sociologjike: dhe kjo është qëndresa e dëshpëruar ndaj paformësisë, zbrazëtisë, zhargonit të parrezikshëm abstrakt dhe frazomanisë, beteja ideokratike me “fjalët-tradhëtare”, nëse e themi figurshëm. Në art, është piksëpari kinematografia që e ka treguar qartë e prerë: gjuha është vetëm një nga shumë mundësitë e sistemit të shenjave, tëpkë siç astronomia ka treguar, se toka është vetëm njëri nga planetët, duke përmbysur kësodore pikpamjen e njeriut mbi botën.  Në thelb, udhëtimi i Kolombit i dha fund mitit mbi ekskluzivitetin e Botës së Vjetër, por vetëm me zhvillimin kulturor të paradokohësh në Amerikë atij iu dha goditja e fundit.  Kinematografia gjithashtu ka qenë konsideruar dikur jo më shumë se zhanër ekzotik i artit dhe vetëm me zhvillimin progresiv, hap pas hapi, ajo theu ideologjinë e saj pararendëse. Poezia e poetistëve dhe poetëve, e cila u takon shkollave përgjegjëse, jep garancinë e një autonomie të thellë.  Poezitë hokatare të Nezvalit prandaj kanë gjetur ithtarë aktivë.

Kohët e fundit ndërmjet kritikëve është mjaft e modës të shkaktohen dyshime në lidhje me çkaquhen studime letrare formaliste.  Shkolla, thonë shpifanikët e saj, të shpie tek qasja e “artit për art”, ajo shkon pas gjurmëve të estetikës Kantiane.  Me të tilla kundërshtime, kritikët janë aq të njëanshëm në radikalizmin e tyre, sa, duke qitur mendesh ekzistencën e dimensionit të tretë, parapëlqejnë ta shohin gjithçka dyst.  As Tinjanovi, as Mukarzhovski, as Shkllovski, as unë, – asnjëri nga ne, kurrë nuk ka proklamuar vetmjaftueshmërinë e artit.  Nëse kemi bërë përpjekje që diç edhe të tregojmë, e kemi bërë për hir të asaj që arti është pjesë përbërëse e strukturës sociale, komponent, i cili bashkëvepron me çkado tjetër dhe vetë është i ndryshueshëm, përderisa dhe sfera e artit dhe raporti i ndërsjelltë me elementët e tjerë të strukturës sociale gjendet në lëvizje të përhershme.  Ne folëm jo për seperatizmin e artit, por për autonominë e funksionit estetik.

Siç e kam vënë në dukje, përmbajtja e kuptimit poezi është i lëkundshëm dhe i kushtëzuar nga faktori kohë.  Por funksioni poetik, poetizmi, paraqitet, siç e kanë nënvizuar “formalistët”, element sui generis, i cili nuk mund të jetë kompetent për elementë të tjerë.  Ai mund të jetë i ndarë dhe i bërë i pavarur, si shumllojshmëri receptimesh, të themi, për shembull, kubizmi në pikturë.  Por ky është rast i veçantë; nga pikvështrimi i artit dialektik ai ka raison d’ etre, e, sidoqoftë, mbetet rast i veçantë.  Në shumicën e saj poetike – është vetëm një pjesë e ndërlikuar e strukturës, porse ajo pjesë, e cila doemos transformon elemente të tjerë dhe së bashku me të përcakton natyrën e tërësisë.  Po sipas këtij postulati, vaji nuk paraqet askurrë në vetvete, as gjellë të plotë, as salcë rastësore për drekë, komponent mekanik; ai i ndryshon shijen gjellës, dhe ky funksion i tij mund të depërtojë ndonjëherë aq, sa edhe peshku, p. sh. , duke u fërguar me vaj e humb emrin që pati në krye të herës Sardinka, duke fituar një emërtim të ri Olejovka (olej – vaj + ovka, derivat mbarese, pra sardele me vaj).  Vetëm atëherë kur vepra fiton statusin e poetikes, funksionin poetik të rëndësisë së propozuar, mund të flasim për poezinë.

Po si e prezanton veten e saj poetikja ? Poetikja është e pranishme, kur fjala ndihet si fjalë, dhe jo vetëm si paraqitje e objektit të quajtur prej saj ose si hedhje emocionesh, kur fjala me kompozimet e saj, me semantikën e saj, me formën e brendshme dhe të jashtme përfton gjithçka dhe vlerën në vetvete – në vend që në mënyrë indiferente t’i qëndrojë realitetit.

Përse është e domosdoshme kjo? Përse është e domosdoshme të nënvizohet veçanërisht ai fakt, që shenja nuk korespondon me objektin? Sepse përveç ndërgjegjies së drejtpërdrejtë të identitetit të shenjës dhe objektit (A=A) ka të domosdoshme ndërgjegjien e drejtpërdrejtë jo-adekuate të këtij identiteti (A nuk është A).  Shkaku, sipas të cilit është materializuar kjo antinomi, fakton atë që, pa kundërshtime nuk ekziston ideja e mobilitetit, ligji i mobilitetit dhe lidhja ndërmjet idesë dhe shenjës bëhet automatikisht.  Ndërpritet aktiviteti dhe ndjenja e realitetit vdes.

Shënime:

1-Poezia: Sytë e tu të kaltër.  Buzët e manaferrta.  Flokët e artë.  Grima kur të gjitha këto ia vodhi, mbreslënës pitakimi i hyjshëm.  Trishtimi i thellë i syçkave në ballë. . .  (Proza  Marinka): Flokët e zinj derdheshin me krela të rënda përreth fytyrës së saj të zbehtë e fisnike, e cila bartëte shenjat e një bukurie të parrëfyeshme dhe vareshin teposhtë nëpër pallton e bardhë, e cila, e zbërthyer në gushë, ravijëzonte figurën e saj shtatlartë e të hajthme.  Rrypi i zi shtrëngonte kurmin e saj të brishtë, kurse karfica e zezë ia mblidhte flokët përreth ballit bardhosh, të lartë e të hijshëm.  Por asgjë nuk mund ta shprehte bukurinë e syrit të saj të zi, të mbëltuar, të thellë e në zjarrmi.  Asnjë penë s’është e zonja t’i përshkruajë këto tipare trishtimi dhe pasioni të brengosur”.  (Cigankës): “Krelat e saj të zeza e theksonin edhe më tepër zbehtësinë magjepsëse të fytyrës, kurse sytë e zinj, të cilët buzëqeshnin për së pari në ditën e sotme, qenë ende të pabraktisura nga brenga efemere.” Ditari: “Unë ngrita fundin e saj dhe pashë nga përpara, anash dhe prapa. . . Të ikte truri të shihje çfarë mollaqesh. . . çfarë ijesh të bardha. . . Unë luajta me këmbën e saj: ajo hoqi çorapet dhe u ul në krevat” etj. . .

2– Po kështu në veprën Ciganes: “Im atë! Im atë mashtroi nënën time, që të shtjerë në dorë të dashurën time – ai mashtroi të dashurën e tim eti – nënën time – dhe im atë vrau tim atë!”

3– ja se si e përshkruan Mah-u gjendjen e tij të ethshme tri ditë para vdekjes: “Kur lexova që Lora doli, rashë në një tërbim të tillë, sa mund t’ia hiqja vetes.  Që nga ajo kohë jam shumë keq.  I thyva të tëra këtu e i bëra copë.  Mendimi i parë që më ra në kokë qe, të ikja dhe ta lija atë të bënte ç’të donte.  Unë e dija pse: nuk desha që ajo të braktiste shtëpinë.  Ai i kanosej asaj me jambe: të betohem në jetën time, ti kurrë nuk do t’më shohësh më.

 

                 Përktheu nga origjinali rusisht: Agron Tufa

 

 

Roman Jakobsoni ka qenë vëngërash.  Duke mbuluar me dorë syrin e majtë, ai u vikaste të njohurve:

- Me të djathtin shihni! Për të majtin harroni! Kryesor për mua është i djathti! Kurse i majti është thjesht peshqesh për formalizmin…

Punë e paqme kjo, të shtiresh budalla, duke themeluar paraprakisht një shkollë të tërë filologjike!. . .

Jakobsoni ka qenë njeri gazmor.  Nabokovit iu dha vendi i profesorit ne Universitetin e Havardit.  Të gjithë anëtarët e trupës pedagogjike qenë dakord.  Vetëm Jakobsoni tek pullë qe kundër.  Por ai ishte president i këshillit pedagogjik.  Fjala e tij qe ajo që vendoste.  Më në fund kolegët i thanë:

- Ne duhet ta ftojmë Nabokovin, sepse ai është shkrimtar i madh.

- E pastaj? – u habit Jakobsoni.  – Edhe elefanti, gjithashtu, kafshë e madhe është.  Po ne nuk i propozojmë atij të na udhëheqë katedrën e zoologjisë!

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>